Qytetarët e Ferizajt do të vazhdojnë të presin ende për ndërtimin e spitalit regjional të këtij qyteti, kjo pasi që, bazuar në vendimin e fundit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, projekti për ndërtimin e këtij spitali do të kthehet përsëri në rivlerësim.
Fillimi i ndërtimit të këtij projekti është zvarritur tash e dy vite për shkak të mospërmbushjes së kritereve nga kompanitë konkurruese.
Në mars të këtij viti, kompani fituese për ndërtimin e projektit në fjalë ishte përzgjedhur NPN “Çlirimi”, por ky vendim është dërguar në rivlerësim për shkak të ankesave të kompanive tjera konkurruese
Arsyet se pse janë ankuar kompanitë në fjalë kanë të bëjnë kryesisht me probleme në përmbushjen e kritereve të përcaktuara nga ligji i Prokurimit Publik i Kosovës, duke përfshirë mungesën e inxhinierit të përhershëm të elektros, mungesën e verifikimit të certifikatës ISO 9001 nga AK, që është dashur të bëhej para kontraktimit të kompanisë, si dhe pretendimi se kompania “Çlirimi” ka borxhe të pashlyera në Administratën Tatimore të Kosovës.
Në procesin e tenderimit të këtij projekti kanë marrë pjesë 20 kompani, teksa kjo nuk është hera e parë që është anuluar kontrata për ndërtimin e këtij spitali nga kompanitë konkurruese, kjo pasi që, në vitin 2016 ishte anuluar vendimi për ndërtimin e objektit në fjalë nga kompania “Al Trade”.
Agjencia Kundër Korrupsionit kohë më parë i kishte bërë dy opinione negative për procedurat e prokurimit të ndjekura nga Spitali Regjional i Ferizajt, ku flitej për anën e “errët” të procedurave tenderuese nga ky autoritet kontraktues.
Lidhur me këtë tender kanë aplikuar 20 kompani të ndryshme, projekti kap vlerën 9 .4 milionë euro. /Gazeta Shneta/