Në përgjithësi nëna fillon të ndiejë lëvizjet e fetusit rreth javës së 16-të dhe 18-të, por megjithatë nuk mund të themi se kjo periudhë është e përcaktuar që do të ndodhë tek të gjitha gratë shtatzëna. Disa nëna ndiejnë diçka në barkun e tyre që në javën e 13-të, ndërsa disa të tjera e ndiejnë fëmijën e tyre shumë më vonë, ndoshta edhe në fund të muajit të 5-të. Në këtë fazë ndjesia më e bukur është ajo e lëvizjes së fëmijës në mënyrë të tillë sikur lëvizin disa flutura.
Pse disa gra e ndiejnë fëmijën më parë dhe disa e ndiejnë më vonë?
Perceptimi i lëvizjeve të para të fëmijës varet nga ritmi i jetës të gruas dhe mundësia e saj për të dëgjuar dhe ndier veten e saj. Gratë të cilat kanë një jetë mjaft aktive ka më pak mundësi të qetësohen dhe në të tilla raste stresi shkakton kontraktime të muskulit uterin, gjë e cila e bën edhe më të vështirë këtë perceptim. Gratë të cilat i nënshtrohen amniocentezës zakonisht fillojnë t’i ndiejnë lëvizjet e fëmijës vetëm pas përfundimit të këtij testi. Kjo konsiderohet si një mekanizëm mbrojtës psikologjik nga ana e nënës, e cila refuzon të perceptojë lëvizjet e fëmijës deri në momentin që do të sigurohet që është në gjendje të mirë shëndetësore.
Në përgjithësi gratë të cilat presin fëmijën e dytë i ndiejnë lëvizjet e fëmijës disa javë më parë krahasuar me shtatzaninë e parë. Arsyeja që kjo ndodh është e thjeshtë nëna e di si janë lëvizjet e fëmijës dhe e kanë më të lehtë për t’i dalluar.