Kurrë nuk do të jem nënë e tillë për fëmijën tim

2017-10-31 në ora 09:42

Mendoj se kurrë nuk do të jem një nënë e tillë për fëmijën tim, kurrë një vjehrrë e tillë në drejtim të vajzës që ai do të zgjedhë të ketë në krah, ndoshta sepse mendoj se i di limitet, ndoshta sepse po flasim për një kohë kur mentaliteti i shoqërisë shqiptare do të jetë ndryshe, ndoshta sepse e kuptoj çfarë do të thotë të zgjohesh dhe të flesh e shqetësuar nga fjala e nënës së burrit.

E tillë si? Një grua që merr atributet të bëjë me njerëzit cfarë të dojë, dhe mbi të gjitha me bashkëshorten e djalit të saj, një grua e cila mendon se ka të drejtë të thotë cfarë të dojë dhe madje ta ketë gjithmonë mirë dhe të gjithë ta aprovojnë, një grua që kthen gjithmonë çdo gjë kundër teje, një grua që përpiqet të të bëjë të ndihesh keq sa herë që të shikon që qesh… që mendon se ajo lumturi ty nuk të shkon dhe se duhet bërë dicka për ta “rregulluar” atë “defekt”.

Nuk dua të jem një vjehrrë e cila mendon se lumturia e nuses është një defekt, se të qeshësh nuk është e hijshme e madje as të përqafosh bashkëshortin tënd. Një vjehrrë e tillë nuk dua të jem dhe nuk dua të kërkoj respekt nëse një ditë fatkeqsisht bëhem!

Ai është ende i vogël, por unë mendoj se kur të vijë momenti që unë të njoh vajzën që ka zgjedhur të ndajë jetën apo një pjesë të saj, mua nuk më takon të bëj asgjë.

Ndoshta mund të shkoj në një dyqan bizhuterish dhe t’i blej një palë vathë, t’i blej një parfum të shtrenjtë, të zgjedh dhuratën më të bukur për të, sepse dua që ajo të ndihet mirë, që sa herë të dëgjojë emrin tim të mendojë pozitivisht dhe jo të frikësohet nga prania ime.

Ndoshta dikush mendon se unë nuk do të jem në gjendje ta bëj këtë, madje edhe ma kënë thënë “ti je shumë posesive me djalin tënd, do ta kesh gjithmonë nën kontroll dhe këtë do të bësh gjithë jetën!” E keni shumë gabim kur flisni në lidhje me të ardhmen!

Unë nuk jam posesive, unë  kujdesem që ai të hajë gjithmonë në orar, të flejë në orar, të vishet mirë dhe të ketë një higjenë të mirë, por detyra ime nuk mbaron këtu pasi këtë mund ta bëjë kushdo. Detyra ime fillon tëk siguria që unë atij i jap, tek ndihma dhe mbështetja që i ofroj sa herë e shikoj që ai ka nevojë, dhe në lidhje me këtë nuk ka limite “kjo është e tepërt, kjo nuk është” sepse çdo nënë dhe baba e di se për çfarë ka nevojë fëmija i tij, jo më kot të gjithë fëmijët janë ndryshe nga njëri-tjetri.

Ai është kaq i vogël dhe nuk di të mbrohet, ai kërkon mbështetje tek unë dhe unë po ja jap, dua ta rris si një njeri të sigurt dhe të edukuar, që një ditë të mos ketë frikë të më thotë nëse unë gabimisht e teproj “mami tani mjaft!” Nuk është e gabuar të thuash “mjaft” edhe kur bëhet fjalë për nënën, e përse nuk duhet ta thuash nëse ajo nuk njeh limite?

Përse duhet të mendoj unë se kam të drejtë të them çfarë të dua para vajzës që do të futet në jetën tonë pas disa vitesh? Sepse jam nëna e djalit tim? Sepse e kam sjellë në jetë dhe kam duruar dhimbje? Kam kaluar netë pa gjumë dhe e kam rritur? Ka shumë mënyra për të marrë kënaqësi nga jeta në familje dhe nga fëmija, dhe personalisht mendoj se të nënshtrosh nusen e djalit nuk është mënyra e duhur!

Ndonjëherë vuajtja na bën të jemi njerëz të këqinj, por ndonjëherë na bën të jemi njerëz tepër të mirë dhe të kemi një empati tepër të zhvilluar. Ndonjëherë ndihemi aq të lënduar por nuk e ndryshojmë dot realitetin dhe çfarë bëjmë? Mendojmë dhe presim me padurim të vijë momenti kur ajo vajzë do të hyjë në jetën e djalit, për t’i dhënë sadopak dashuri, për ta bërë të ndihet mirë edhe me detaje të vogla, për t’i treguar vetes se edhe vjehrra jote mund të ishte sjellë kështu, por nuk e bëri pra mos u ndiej ti në faj!

Mbi të gjitha duam të mendojmë se në botë jo të gjithë mendojmë të bëjmë keq, se ndoshta ka lidhje edhe me intelektin e një personi, me prirjen e tij narciste, me edukaten dhe nivelin e shoqërisë ku jeton dhe fatkeqsisht në shoqërinë tonë vjehrra problematike mund të gjesh në shumë familje.

Është për të ardhur keq si të rinjtë nuk bëjnë asgjë për të dalë nga tutela e tyre, për të thënë “mjaft” atëherë kur është vërtet e nevojshme!

Nga nëna e një djali për të gjitha nënat e djemve! I lini fëmijët të marrin frymë, të jetojnë jetën e tyre si dhe me kë të duan, ju zgjedhjen tuaj e keni bërë. Familja e lumtur vlen mbi të gjitha! /pernenat