Emanuel Smaka
Neglizhenca në ndjekjen periodike të kontrolleve tek mjeku stomatolog, mungesa e informacionit apo edhe harresa për kujdesin e higjenës së gojës mbeten disa prej shkaqeve kryesore të dëmtimit të dhëmbëve thonë mjekët. Faktorët vendimtar për prishjen e dhëmbëve, tregon mjekja stomatologe Odeta Shehu (Kokona) dhe që pacientët i neglizhojnë në mënyrë të përsëritur, janë mospastrimi i gurëzave të dhëmbëve si dhe dieta e pasur me shumë sheqer.
Cilët janë faktorët e riskut që ndikojnë në prishjen e dhëmbëve?
Faktorët e riskut, duke pasur parasysh dietën jo shumë të kujdesshme që kemi ne në përgjithësi, qoftë tek të vegjlit apo edhe të rriturit, është prania e sheqerit të tepërt në dietë, sepse sjell prishjen e dhëmbëve. Sheqeri i tepërt është faktori kryesor dhe armiku i dhëmbëve. Kjo sepse sheqeri favorizon ambientin acid, i cili më pas sjell dëmtimin e zmaltit dhe përmes një procesi zinxhir kalon deri tek prishja e dhëmbëve.
Çfarë mendoni se neglizhojnë pacientët, por që në mënyrë afatshkurtër apo afatgjatë ndikon në prishjen e dhëmbëve?
Llojet e sëmundjeve të dhëmbëve janë të përhapura në mënyrë të barabartë në fakt. Më pak e rëndësishme pacientit i duket prania e gurëzave, që duket sikur është vetëm diçka estetike. Por nuk i japin rëndësi faktit se gurëza është fillimi i çdo procesi karioz që mbivendoset më pas. Domethënë, ideja e pacientëve në përgjithësi është që të përfundojnë të gjitha rregullimet që kanë dhe pastrimin e gurëzave ta bëjnë në fund. Në fakt, ajo që duhet bërë e para është pastrimi i gurëzave, ku dhe zbulohen më pas problemet që ka. Gjithmonë them kur nuk ka urgjenca. Pra, në momentin që paraqitet një pacient që kërkon trajtim dentar, pastrimi i gurëzave është i pari. Sa më parë që të trajtohen gurëzat aq më mirë është. Nëse pacienti ruan higjienën maksimale duke i larë dhëmbët të paktën 2 herë në ditë si dhe përdorimi i fillit dentar. Ndërkohë përdorimi i shpërlarësve të gojës është fakultativ. Nuk është se ata bëjnë mrekulli. E vetmja gjë që bëjnë është aromatizimi i gojës. Aromatizuesit nuk ndihmojnë në zhdukjen e baktereve nga goja.
Pse është i rëndësishëm specifikisht filli dentar?
Filli dentar është i rëndësishëm, sepse përmes tij pastrohen sipërfaqet midis dhëmbëve, atje ku asnjë lloj furçe nuk mund të futet. Nëse furça pastron pjesën e dukshme të dhëmbëve, filli dentar pastron hapësirat ndërmjet. Karakteristikë e fillit dentar është se ai duhet të jetë i dyllëzuar, i veshur me dyllë në mënyrë që të dëmtojë sa më pak dhëmbët.
Problemet me dhëmbët e mbushur
Çfarë problemesh mund të shfaqen nëse një dhëmb nuk është mbushur siç duhet?
Në aspektin afatshkurtër, një dhëmb që nuk është i mbushur mirë i sjell shumë shqetësime pacientit. Dhimbja është e para. Ndërsa në aspektin afatgjatë fillon nga komplikacionet më të thjeshta fare deri tek komplikacionet e rënda që mund të japin infeksione të dhëmbëve dhe nofullave, por ka edhe raste kur problemet janë të brendshme dhe qëndrojnë për një kohë të gjatë pa simptoma.
Cilat mund të jenë shkaqet e shfaqjes së infeksionit tek një dhëmb i mbushur 2 apo 3 vite më parë?
Shkaqet janë të shumta. Arsyeja e parë është mosmbushja në rregull e kanalit të dhëmbit. Nëse nuk është trajtuar mekanikisht me detyrën dhe ndërgjegjen e mjekut, ai mund të krijojë probleme. Duhet që kanali i dhëmbit të përpunohet maksimalisht me agjentët kimik dhe mbushjen e dhëmbit në fund. Nëse kjo gjë nuk bëhet siç duhet, për shumë arsye të ndryshme, mund të shfaqen infeksione. Po ashtu ka edhe shumë raste të tjera kur dhëmbi mund të ketë pësuar frakturë, pra mund të thuhet gjatë kohës që është i mbushur. Në këtë mënyrë krijohet një portë hyrjeje dytësore që krijon një portë hyrëse për bakteret e gojës që hyjnë në kockë dhe japin infeksione të dhëmbit.
A është e vërtetë që gjithmonë ushqimet mbeten tek dhëmbët e mbushur? Nëse ndodh kjo, cilat janë arsyet?
Kjo është relativisht e vërtetë. Në pjesën më të madhe të rasteve që ne shohim çdo ditë në punën tonë, të paktën me pacientë që nuk janë ndjekur prej nesh më përpara, pikat e kontaktit, domethënë kur bëhet mbushja, pikat e kontaktit mes dhëmbëve të mbushur nuk realizohen siç duhet. Kjo është arsyeja kryesore që mbeten ushqimet atje dhe më pas pastrohen me vështirësi apo mund të krijohen probleme edhe tek mishrat e dhëmbëve e problemet e tjera më pas. Megjithatë edhe sikur ta mbushësh dhëmbin në mënyrë ideale, materiali i mbushjes nuk mund të jetë asnjëherë pika e kontaktit nuk mund të jetë 100% siç është lidhja natyrale e dhëmbëve. Pra, ndarjet në përgjithësi, dhe jo vetëm për këtë arsye, pacientëve u rekomandohet që kur pikat e bashkimit mes dhëmbëve, pacientëve u rekomandohet vendosja e dhëmbit për të mbrojtur kurorën dhe për të rregulluar pikën e kontaktit që të jetë sa më afër natyrales.
Cilët janë faktorët e tjerë që janë përgjegjës të drejtpërdrejtë që ndikojnë në acarimin e mishrave të dhëmbëve?
Totalisht gurëzat. Domethënë, tek një pacient që gëzon shëndet të plotë, që nuk merr medikamente shtesë për një sëmundje të caktuar, arsyeja numër 1 nëse nuk ka faktorë të tjerë ndikues, janë gurëzat. Kjo ndodh sepse pacientët gjithnjë i neglizhojnë. Janë gurëzat që vendosen midis dhëmbit dhe midis mishit të dhëmbit ç’ka më pas shkaktojë acarim. Në këto raste rrezikohet që tek shumë pacientë të shfaqet sëmundja e mishrave të dhëmbëve. Nëse një person në moshë të mesme shfaq lëvizshmëri të dhëmbëve, edhe kur ata janë pa probleme, patjetër që janë gurëzat që kanë ndikuar në këtë pjesë.
Sa i përket acarimit të pjesës së brendshme të faqeve përreth dhëmbëve, çfarë ndikon tek kjo pjesë?
Jo, ato në përgjithësi janë afte. Janë me natyrë virale. Ka persona të imunizuar ndaj këtij virusi, por edhe shumë të tjerë që nuk janë. Aftet janë problemet virale dhe kanë një kohëzgjatje zakonisht 1 javë deri në 10 ditë. Megjithatë duhet pasur një kujdes të veçantë për ta trajtuar simptomatikisht këtë problem, sepse nga ana e kurimit nuk ke se çfarë t’i bësh deri sa të kalojë.
Vitet e fundit janë bërë shumë fushata sensibilizuese ndaj kujdesit për dhëmbët. Vëreni ju një ndryshim pozitiv?
Do të thosha që më tepër, siç ndodh edhe në botë ashtu edhe tek ne, njerëzit shqetësohen shumë për kujdesin dentar estetik, por jo për kujdesin shëndetësor dentar. Në përgjithësi pacientët vijnë me synimin e vetëm që ta rregullojnë estetikisht gojën. Na ndodh shumë shpesh që pacientët që kanë shumë për të rregulluar, shqetësohen vetëm për pjesën estetike. Është në rritje kërkesa për të drejtuar dhëmbët, sidomos për përdorimin e aparateve estetike. Aparatet e drejtimit të dhëmbëve janë totalisht rezultative, por duhet të bëhet fillimisht diagnoza e saktë, sepse aty fillon gjithçka. E dyta, shumë e rëndësishme është bashkëpunimi me mjekun. Është në rritje tendenca për të ndryshuar mbushjet nga ato të zezat që njihen në gjuhën popullore për ti kthyer në kompozitë.
Sa efikas është zbardhimi i dhëmbëve dhe çfarë materialesh përdoren?
Zbardhimi i dhëmbëve nëse bëhet me produktet e duhura dhe nëse zbatohet protokolli i trajtimit, ka efekt të jashtëzakonshëm. Pacienti hyn me një nuancë dhëmbësh dhe del me një tjetër nuancë shumë herë më të bardhë. Nuk ka efekte anësore nëse aplikohet produkte cilësore. Ka xhel që aplikohet nga vetë pacientët, por së pari efektin nuk e ka të njëjtë si zbardhimi me lazer, ndërkohë efektet anësore të përdorimit të produkteve të pakontrolluara janë të mëdha. Nëse me lazer, në disa raste, pacienti ka mbindjeshmëri, me produktet e tjera e ka më të zgjatur këtë. Avantazhi tjetër që ka trajtimi në klinikë, është se nuk dëmtohen indet përreth. Produktet që shiten rëndom apo që na i reklamojnë në Facebook për zbardhimin e dhëmbëve, minimalisht nuk kanë mbrojtësit për indet e tjera, mishin e dhëmbëve, gjuhën dhe faqet.
Sa zgjat një zbardhim profesional?
Zbardhimi profesional i dhëmbëve zakonisht kryhet me 3 seanca, ku secila zgjat 15 minuta. Ndërkohë, kohëzgjatja e bardhësisë së dhëmbëve varet edhe nga pacienti. Nëse është një pacient që nuk konsumon duhan, kafe apo verë, apo që i konsumon në sasi të ulët, zbardhja zgjat edhe më shumë sesa 3 vjet. Kurse tek pacientët zbardhimi i dhëmbëve mund të zgjasë 1 vit e gjysmë deri në 2. Së fundmi, unë sugjeroj që pacientët duhet të ndjekin profesionistët, produktet dhe klinikat cilësore që ofrojnë shërbim kompleks dhe maksimal. Duhet ikur nga koncepti i njerëzve që të bësh diçka shumë të mirë, bashkëkohore dhe me çmim të ulët. Është e kotë, sepse nuk është e mundur kjo gjë./Shendeti.com.al