Kush mund t’i ndihmojë më së shumti nënat që ushqejnë fëmijën me gji

2018-08-07 në ora 12:51

Gjidhënia është një nga sfidat më të mëdha për nënat!

Një studim i Universitetit të Miçiganit dhe Teksasit ka zbuluar se përkrahja nga familja dhe miqtë është e rëndësishme, por përkrahja nga bashkëpunëtorët është edhe më e rëndësishme kur bëhet fjalë për nënat që ushqejnë fëmijët me gji.

“Nëse gratë e dinë se bashkëpunëtoret dhe eprorët do t’i mbështesin në përpjekjet e tyre për të ushqyer fëmijët me gji, kjo mund të bëjë një ndryshim të madh”, thotë Joanne Goldbort, një profesor asistent në Kolegjin e Infermierisë në MSU.

Studimi

Në një studim ku morën pjesë 1000 burra dhe gra në ambientet e punës u analizuan qëndrimet që mbanin ndaj nënave që ushqejnë fëmijët me gji, që kanë nevojë për ndërprerje të shumta gjatë punës për të shtrydhur me pompë qumështin. Hulumtuesit zbuluan se tre nga katër persona të anketuar shprehën një shkallë të gatishmërisë për të ndihmuar nënat.

“Problemi është se një nga katër bashkëpunëtorë shpreh një qëndrim se këto pushime ishin të padrejta ndaj tyre dhe këta pjesëmarrës treguan njëfarë mungese vullneti për të ndihmuar koleget e tyre gjidhënëse”.

Ndalimi i gjidhënies pas kthimit në punë

Studimi i dytë, i botuar në revistën “Health Communication”, shqyrtoi përvojat e 500 nënave. 81 prej tyre nuk kishin ushqyer asnjëherë fëmijët me gji, 80 kishin ndalur para se të ktheheshin në punë. 300 prej tyre u përpoqën të vazhdojnë gjidhënien pas kthimit në punë, por më shumë se 50% ndaluan pompimin brenda 6 muajve.

Studiuesit arritën në përfundimin se thjesht kthimi në punë është një faktor kryesor përse disa nëna heqin dorë nga ushqyerja me gji, por që mbështetja e kolegeve femra mund t’i ndihmojë të tejkalojnë këtë pengesë për të vazhduar dhënien e gjirit. Rreth 15% e nënave që mbanin fëmijët në gji pas kthimit në punë thanë se zgjodhën të pomponin sepse kishin kolege që i inkurajonin.

Pse është e rëndësishme mbështetja e kolegeve?

“Një faktor mund të jetë se thjesht shpenzimi i shumicës së kohës së tyre gjatë ditës me koleget kërkon më shumë mbështetje për suksesin e dhënies së gjirit”, shpjegon një nga autoret e studimit.

Kolegët duhet ta ndihmojnë nënën gjidhënëse gjatë kohës që ajo nuk gjendet në tryezën e punës, si dhe të përmirësojnë klimën miqësore. Në një studim tjetër, 74% e nënave thanë se shoqëria në përgjithësi nuk bën mjaftueshëm për t’i mbështetur ato në misionin e ushqyerjes së fëmijëve me gji./pernenat