Një person 59 vjeçar është arrestuar gjatë ditës së djeshme nga Policia e Kosovës në parkun e qytetit në Prishtinë.
Një nënë ka rrëfyer se si ky person mashtronte vajzat e vogla me para e akullore, dhe i dërgonte në vende ku nuk kishte njerëz të tjerë, shkruan Gazeta Shneta.
“Më datën 23 prill rreth orës 16 dola me dy fëmijët e mi në parkun e qytetit. Gjatë kohës sa po luanin fëmijët pashë një nënë tjetër që ishte shqetësuar shumë. Ajo kishte parë një person mbi 50 vjeç duke i ngacmuar seksualisht disa vajza të mitura në park”.
“Njërën nga to e kishte nxjerrë nga parku për t’i blerë akullore, më pas e kishte dërguar larg njerëzve tjerë për ta ngacmuar. Gjatë kohës sa po bisedonim për këtë rast, personi në fjalë erdhi afër një vajze rreth 8 vjeçe dhe i kërkonte të shkonte me të, I tha se do t’i jepte para se të shkonte me të”, ka rrëfyer nëna.
Ajo tregon tutje se i janë afruar personit dhe i kanë kërkuar të largohej nga vajza.
“Pasi u largua shkoi te ulëset tjera në park ku po luanin disa vajza të moshës 10-12 vjeçe, njërën nga to e thirri dhe i dha të holla dhe filloi ta ngacmonte seksualisht”, ka treguar tutje nëna.
Ajo thotë se menjëherë kanë thirrur policinë të cilët kanë ardhur pas pak minutash dhe kanë arrestuar personin.
Nëna ka bërë thirrje që prindërit të kenë kujdes, pasi ky person është parë edhe tek shkolla “Elena Gjika” në Prishtinë.
Poashtu edhe disa punëtor të kafenesë në park kanë deklaruar se kanë parë këtë person edhe herë të tjera, duke u paraqitur si i sëmurë mental.
Pas arrestimit nga Policia, 59-vjeçari është dërguar në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK. /Gazeta Shneta/