Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi ka folur sot për reformat në shëndetësi. Ai ka thënë se në Kosovë është fatkeqësi që s’kemi profesor në katedrën e Kirurgjisë
Cilësia e studimeve në Fakultetin e Mjekësisë dhe strategjia nacionale për ruajtjen e funksionalitetit të sistemit shëndetësor të Kosovës, ishte temë diskutimi ndërmjet krerëve të sistemit shëndetësor në një tryezë të organizuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës dhe Fakultetit të Mjekësisë.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, tha se synim i tyre është ruajtja e trurit shkencor, duke shtuar se duhet që studentët të përgatiten më mirë në mënyrë që në të ardhmen të kemi mjekë të mirë.
“Për mua është paradoksi më i madh që kemi investuar aq shumë në njeriun tonë, me na mjeku, me na eduku, por kur ai i bën 65 vjet, ne i themi faleminderit shumë. Kryetari i SHBA-së i ka 78 vjet. Prandaj kjo është një formë që ne po i largojmë njerëzit tanë dhe duhet të ulemi e të mendojmë se ndoshta kjo nuk është praktikë e mirë. Është fatkeqësi që sot nuk kemi asnjë kirurg në nivel të profesorit në Fakultetin e Mjekësisë dhe Klinikën e Kirurgjisë”, ka deklaruar Latifi.
Ai ka thënë se bota ka filluar operacionet me robotë, ndërsa në Kosovë, ende janë listat e pritjes së pacientëve për t’u futur në operim.
“Ajo që unë e kam mësuar në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, përveç anatomisë, parimeve të fiziologjisë dhe biokimisë, të gjitha të tjerat kanë ndërruar. Bota po bën operacione me robot, ndërsa ne kemi pacientët që presin në lista me vite të tëra për operacione të thjeshta. Tash kemi kompjuterët, nanoteknologjinë, kirurgjinë robotike, inteligjencën artificiale, mjekësi të bazuar në evidencë. Prandaj ne duhet të bëhemi pjesë e kësaj bote të ndryshuar”, ka deklaruar Latifi.
Ai ka thënë se nuk mund të ketë një sistem shëndetësor modern, pa edukim modern të mjekëve të rinj. /Gazeta Shneta/