Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se sistemi shëndetësor është i përgatitur për reagim adekuat në rast të rritjes së mëtejshme të numrit të të infektuarve dhe spitalizimeve nga COVID-19.
Këtë deklaratë ai e ka bërë në një takim me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.
Hovenier theksoi bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm mes dy vendeve derisa nënvizoi mbështetjen e SHBA-së në fushatën e vaksinimit kundër Covid-19 dhe në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore edhe përmes bashkëpunimit me organizatat e tjera ndërkombëtare.
Latifi në anën tjetër e informoi ambasadorin rreth situatës me COVID-19 dhe theksoi se Kosova posedon tani sasi të mjaftueshme të vaksinave për të gjithë qytetarët, kurse sistemi shëndetësor është përgatitur për reagim adekuat në rast të rritjes së mëtutjeshme të numrit të të infektuarve dhe spitalizimeve nga COVID-19.
Tutje, Ministri Latifi tregoi edhe për planin konkret të Ministrisë së Shëndetësisë për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore tek të gjitha komunitetet në Kosovë edhe përmes aplikimit të Telemjekësisë.
Ambasadori Hovenier ritheksoi se ShBA edhe në të ardhmen do t’i ofrojnë mbështetje Kosovës për arritjen e qëllimeve të saja drejt përmirësimit të kujdesit shëndetësor.