Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi ka qëndëruar për një vizitë në Tiranë ku është pritur nga homologia e tij Ogerta Manastirliu.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, Latifi ka vizituar qendrën e Telemjekësisë e cila ishte themeluar me iniciativën e tij para disa vitesh, shkruan Gazeta Shneta.
Ndërkaq sipas njoftimit të Manastirliut në Facebook, në këtë vizitë është kërkuar thellim i bashkëpunimit për Telemjekësi ndërmjet dy vendeve.
“Thellojmë bashkëpunimin në fushën e Telemjekësisë, me një potencial të madh për të sjellë më afër shërbimet për qytetarët”, ka shkruar Manastirliu në Facebook.
Ministrja shqiptare po ashtu ka thënë se do të bëhet unifikimi i protokolleve mjekësore dhe licencave të mjekëve, ndërsa do të krijohet për herë të parë edhe mundësia për profesionistët për auditim klinik për të kontrolluar cilësinë e shërbimeve shëndetësore për qytetarët.
Në anën tjetër MSH ka njoftuar se gjatë takimit, të dyjat palët shfaqën gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në interes të forcimit të sistemeve shëndetësore dhe të shërbimeve shëndetësore, shkollimit specialistik dhe janë pajtuar për themelimin e një grupi të përbashkët monitorues për implementimin e marrëveshjeve aktuale dhe atyre që do të ndërmerren në vijim. /Gazeta Shneta/