Letra e gruas shqiptare: Si e zbulova tradhtinë e burrit tim, ai kishte bërë…

2017-04-21 në ora 21:24

Letra nisur psikologes Denata Toçe

“Përshëndetje psikologe Denada, respekt për shkrimet tuaja. Do vlerësoja pafund një mendim nga ju. Prej shtatë vjetësh jam e martuar dhe kam një vajzë të vogël. Jetoja një martesë të lumtur të paktën deri para 2 muajsh kur zbulova tradhtinë e tim shoqi me një femër të divorcuar me fëmijë. Ma pranoi tradhtinë dhe në gjendje të rëndë u largova nga shtëpia. Pas shumë lutjesh nga im shoq, u ktheva përsëri.

Nuk mund ta imagjinoja jetën pa të. Edhe pse vendosa ta fal, nuk po mundem dot ta harroj. Çdo çast më duket sikur më gënjen. Më duket sikur do jem unë shkaktarja e divorcit, duke ia kujtuar çdo herë. Ai pranon se ka kryer vetëm një herë marrëdhënie me të, por mua kjo gjë po më shkatërron çdo sekondë.

Nuk di më të jetoj, nuk ha, nuk fle mirë, jam shumë nervoze. Ju lutem kam nevojë për këshilla si të harroj, se nuk dua divorc, dua ta ruaj familjen time.”

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Përgjigjja

“Përgjigjen e kësaj letre do ta nis ndoshta jo me atë se çfarë prisni ju, por me të vërtetën që është brenda jush, brenda të gjithëve ne: mendja jonë nuk mund të harrojë, thjesht gjërat fillojnë dhe zbehen nga natyra e rëndësisë që jeta ka. Çdo ngjarje e jetës sonë fatmirësisht ka një të tashme dhe një të shkuar.

Fatkeqësisht, asnjë gjë që bëhet e shkuar nuk mund të ç’bëhet, thjesht ajo pranohet ose rehabilitohet në të ardhmen. Kur ju jeni përballur me tradhtinë e bashkëshortit tuaj, është e rëndësishme që ju të kuptoni hapin e parë dhe hapat e tjera me radhë.

Të kuptoni se ajo që ka ndodhur nuk mund të ç’bëhet. Nga ana tjetër të mund të pranoni realitetin e ngjarjes dhe hapi më i rëndësishëm është konsumimi i vështirësisë suaj nëpërmjet komunikimit. Psikologët e marrëdhënies ngaherë thonë se në një marrëdhënie, kur dikush tradhton, nuk kanë faj të tretët. Është e lodhshme të bësh fajësinë dhe gjyqësinë, sidomos kur dy persona duhen shumë. Në këtë hap, ju duhet të ridimensiononi marrëdhënien, të mund të konsumoni vështirësitë që ju keni me njëri-tjetrin.

Nevojat dhe dëshirat që ju keni me njëri-tjetrin dhe për të tjerë. Pse dhe sa të rëndësishme janë parimet që keni vendosur ju me njëri-tjetrin dhe a mund të ridimensionohen ato. Është e udhës që të mos krijohen barriera në komunikim, por të mund të jeni të hapur dhe të sinqertë me njëri-tjetrin, pa paragjykime dhe dyshime. Kjo do t’ju ndihmojë që të kuptoni më shumë rreth jush dhe të ndërmerrni një marrëdhënie të rivlerësuar dhe rindërtuar pasi të gjithë ne, me kalimin e kohës rritemi, ndryshojmë dhe meritojmë të kemi risi në marrëdhënie.

Nëse vazhdoni të jetoni së bashku, sikur nuk ka ndodhur thjesht me mendimin se harresa do t’ju ndihmojë, ju do të shmangni të vërtetën se nuk mund të harroni dhe mbi të gjitha thelbin e “pse kjo ndodhi”. Pra të shikoni marrëdhënien tuaj dhe jo marrëdhënien me të tretë. Suksese!”. /Revista Psikologjia