Ligji për paga në Kushtetuese, sindikalistët paralajmërojnë masa

2019-12-06 në ora 15:22

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë ka paralajmëruar masa pas dërgimit të Ligjit për Paga në Gjykatën Kushtetuese nga Avokati i Popullit.

FSSHK ka njoftuar se më 11 dhjetor do të mblidhet Këshilli Drejtues për të marr vendim për veprimet sindikale. Kjo sindikatë ka njoftuar se bashkë me sindikatat tjera janë dakorduar që deri të martën më 10 dhjetor do t’i jepet hapësirë dialogut social, shkruan Gazeta Shneta.

Reagimi i plotë nga FSSHK:

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kryesisë së saj me datë 06 Dhjetor 2019 pas diskutimit në lidhje me situatën aktuale të krijuar pas dërgimit të Ligjit nr. 06/L-111 mbi Pagat në sektorin publik nga ana e Avokatit të Popullit në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën  ka marr vendim që  të Mërkurën me datë 11.12.2019  të mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit Drejtues të FSSHK-së ku do të merren vendimet e mëtutjeshme në lidhje me veprimet sindikale.

Kjo bëhet pas marrëveshjes me SBASHK dhe SPK ku është vendosur që deri të Martën ti jipet hapësirë dialogut social.

Deri në mbledhjen e Këshillit Drejtues lutet anëtarësia e gjerë e FSSHK-së që të mos bie pre e manipulimeve të cilat vijnë nga qarqet e ndryshme politike dhe parapolitike.

Për çdo lëvizje apo veprim sindikal do të njoftoheni me kohë.