Naser Guri, pronar i kompanisë “Buberari Komerc”, është liruar nga paraburgimi pas tre muajsh. Këtë e ka konfirmuar për Gazeta Shneta avokati i tij, Bajram Tmava.
Guri është arrestuar në tetor si i dyshuar për vdekjen e tre pacientëve në QKUK.
Tmava ka bërë të ditur se Guri është liruar nën masën e dorëzanisë, pasi ka deponuar 30 mijë euro.
“Për t’u siguruar prezenca e tij në procedurën penale, është deponuar dorëzania prej 30 mijë eurosh dhe tani klienti është i lirë”, ka deklaruar avokati.
Tmava ka thënë se prokurori i rastit ka bërë “embargo të fortë në lëndë dhe nuk ka lejuar qasje dhe as informacione”.
Avokati Tmava ka bërë të ditur një detaj të pa deklaruar deri më tani sa i përket obduksionit të tri viktimave në QKUK.
“Autopsia nga Mjekësia Ligjore në Prishtinë nuk e ka vërtetuar që vdekjet janë pasojë e gazit. Prandaj është kërkuar që analizat e gjakut të dërgohen jashtë vendit”, ka thënë ai.
Tmava ka shtuar se sipas informacioneve të tij, analizat janë dërguar jashtë Kosovës por nuk e di se në cilin vend.
Në shtator të vitit të kaluar tre pacientë vdiqën në rrethana ende të panjohura. Pista kryesore e hetimeve të prokurorisë është gazi oksidul, të cilin kompania e Gurit e prodhonte pa licencë në Kaçanik dhe me të njëjtin furnizonte QKUK-në.
Në një intervistë për Gazeta Shneta ai pati mohuar se gazi është shkaktari i vdekjes së pacientëve, duke thënë se i njëjti gaz është përdorur në 6 salla operative. /Gazeta Shneta/