Meqenëse ekziston vetëm një aparaturë të Rezonancës Magnetike, lista e pritjes për kryerjen e një imazherie diagnostikuese është plotësuar deri në vitin 2019. Këtë e ka bërë të ditur radiologu Ilir Ahmetgjekaj. Pavarësisht listës, shërbimet emergjente kryhen brenda ditës.
S. Namani, 40-vjeçare nga fshati Prapashticë i komunës së Prishtinës, ka pritur më shumë se nëntë muaj për ta kryer një imazheri diagnostikuese, ngase vuante nga një sëmundje në palcën kurrizore.
“Kur kam ardhur për ta kryer këtë analizë këtu në spital kam qenë paciente këtu, edhe më thanë duhet me pritë. Më kanë futur në listë e që nga qershori i vitit të kaluar po pres. Unë kushtet nuk i kisha për me shku me e kryer diku në privat. M’u desh të pres”, thotë 40-vjeçarja.
Sipas zyrtarëve të Klinikës së Radiologjisë në QKUK, lista e pritjes së pacientëve për ta kryer rezonancën është plotësuar e zgjat deri në vitin 2019. E gjithë kjo ngase Kosova ka vetëm një rezonancë magnetike. Andaj të gjitha spitalet regjionale, ambulancat dhe QKUK’ja këtë shërbim e kryejnë në Prishtinë.
“Në klinikën tonë punohet me kapacitet të plotë, pacientët e hospitalizuar që kanë nevojë për rezonancë magnetike nuk presin fare. Për pacientët ambulatorë, duke e marrë parasysh që e kemi vetëm një rezonancë magnetike për të gjithë Kosovën, pritjet shkojnë deri në një vit. Për momentin lista e pritjet zgjat deri më 31 janar të vitit 2019”, ka thënë Ahmetgjekaj për Express.
Radiologu thotë se në Klinikën e Radiologjisë kryhen 30 deri në 40 imazheri diagnostikuese brenda ditës.
Për nevojën e kësaj pajisjeje kohë më parë kërkesa për në MSH ka pasur edhe nga vetë drejtuesit e SHSKUK-së. Në raportin e punës të bërë publik nga ana e SHSKUK-së përshkruhen mungesat me të cilat ballafaqohet QKUK-ja dhe spitalet publike në vend.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express.