Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës rreth 900 pacientë janë evidentuar në listën e pritjes për diagnostifikim dhe vendosjen e stentave në zemër.
Kjo situatë, erdhi si pasojë e keq-menaxhimit të mëhershëm, por edhe të prishjeve të shpeshta të aparaturës për diagnostifikim.Kështu i tha Radio Kosovës Tefik Bekteshi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Klinikës së Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive në QKUK.
Lista e gjatë e pritjes së pacientëve për diagnostifikim dhe vendosjen e stentave në zemër, është shqetësuese edhe për ushtruesin e detyrës së drejtorit të Klinikës së Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive,Tefik Bekteshi.
“Sa i përket listës së pritjes, për mua është tmerruese, për pacientë tmerruese dhe ka dalë prej logjikës normale të listës së pritjes.”
Njëra nga sallat e kardiologjisë invazive është në renovim dhe është çështje ditësh se kur do të jetë gati për pacientët, tha dr Bekteshi.
“Mund të them me siguri absolute se me funksionalizimin e dy sallave të kardiologjisë invazive, çfarëdo liste që do të kemi, e edhe nëse lista do të rritet, mund të them se do të largohet brenda gjashtë muajsh” , tha ai.
Prishjet e shpeshta të aparatit të vjetër të koronarografisë kanë shkaktuan probleme të shumta, jo vetëm për pacientët por edhe për stafin e punës, thotë kardiologu Agron Qerimi.
‘Ne kemi qenë shumë të pambrojtur, sepse ajo ka liruar shumë rrezatim, shpeshherë na ka dalë rrezatimi që kemi marrë ne (stafi) mbi vlerat e lejuara. Kemi pasur telashe të bëjmë regjistrimin e CD-ve të ua japim pacientëve dhe çdo gjë jemi mundu të modifikojmë’’, tha Qerimi.
Me funksionalizimin e dy sallave në kardiologjinë invazive, pacientët më nuk do të drejtohen në klinikat private për diagnostifikim dhe stentim, thotë Tefik Bekteshi.