Gjatë vitit të kaluar Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë ka shqiptuar gjoba në vlerë 129 mijë e 500 euro për institucionet dhe bizneset private. Nga numri total i gjobave, 18 prej tyre janë shqiptuar për mos respektim të Ligjit për Kontrollin e Duhanit
Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë gjatë vitit të kaluar ka kryer gjithsej 1048 inspektime. Sipas raportit të punës, 442 janë kryer në institucionet publike të kujdesit shëndetësor, ndërsa 606 në ato private, shkruan Gazeta Shneta.
Gjatë këtyre inspektimeve, 72 prej tyre kanë rezultuar me shqiptimin e gjobave ku shuma totale ka arritur në 129 mijë e 500 euro.
39 gjoba janë shqiptuar për mungesë të licencës së Institucionit Shëndetësor; 18 për mos respektim të Ligjit për Kontrollin e Duhanit; 4 për mungesë të kartës së të drejtave të pacientit; 4 për mos regjistrim të pacientit; 3 ndalime të punës pa licencë, 2 prej tyre kosovarë dhe 1 i huaj; 1 gjobë për mos prezencë të biokimistit; 1 gjobë për referimin e pacientit nga institucioni publik në atë privat; dhe një gjobë për mos plotësimin e dokumentacionit shëndetësor.
Inspektorati Shëndetësor gjatë vitit të kaluar ka pasur të hyra vetanake në vlerë mbi 177 mijë euro. Gati 80 mijë prej tyre kanë ardhur nga Inspektorati Farmaceutik.
Nga të gjitha inspektimet që i ka kryer ISH, vetëm një prej tyre ka përfunduar me kallëzim penal, ndërsa 16 lëndë thuhet në raport se janë dërguar në Ministrinë e Shëndetësisë për kompletimin e lëndëve për përfaqësim në gjykatë.
Në raportin e punës, ISH ka theksuar edhe urdhrin për ndalimin e përdorimit të oksidulit në shtator të vitit të kaluar kur në QKUK vdiqën 3 pacientë. Oksiduli dyshohet të jetë shkaktari kryesor dhe për këtë po hetohet nga Prokuroria.
Një nga sfidat e Inspektoratit është mungesa e mjeteve të punës, si tonerë, printerë dhe vetura. Poashtu theksohet mungesa e inspektorëve të profileve mjekësore. /Gazeta Shneta/