Kushtet e rënda higjienike dhe moskujdesi i mjaftueshëm ndaj shëndetit, ka bërë që qindra kosovarë të kërkojnë ndihmë nga sëmundja e zgjebës ndryshe e njohur si zhuga në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Drejtoresha e Klinikës së Dermatologjisë Dr. Fatime Kokollari ka deklaruar se rreth 329 pacientë kanë vizituar klinikën për shkak të zhugës brenda këtij viti. Më të prekurit nga kjo sëmundje janë fëmijët 1 vjeçar dhe ata të moshës 7 deri 10.
Kokollari ka bërë të ditur se 79 fëmijë të këtyre grupmoshave janë trajtuar në Dermatologji gjatë këtyre 5 muajve. Ndihmë kanë kërkuar edhe 14 pleq të moshës 75 deri 83 vjeç, shkruan Gazeta Fokus.
“Në përharpjen e zgjebës luajnë rol kushtet shoqërore-ekonomike dhe higjieno-sanitare. Varfëria, pamundësia e mjekimit dhe poashtu fjetja e përbashkët”, ka thënë mjekja.
“Kruarja është shenja e pare e sëmundjes e cila shfaqet një muaj pas infektimit. Sëmundja manifestohet me puprra të kuqe dhe vendet më të pëlqyera për sëmundjen janë duart, ndërmjet gishtërinjve, bërrylat, nën sqetulla, gjinjtë (tek femrat), barku për rreth kërthizës dhe brezit, organet gjenitale (tek meshkujt), vithet dhe me rralle kërcinjtë. Tek të vegjlit, sidomos foshnje, vendet e pëlqyera janë duart, këmbët, shpina, qafa, më rrallë fytyra. Si pasojë e kruarjeve shihen edhe gërvishtje”, tha Kokollari.