Mbi 40 fëmijë vdesin për çdo vit në Pediatrinë e QKUK-së

2017-02-28 në ora 13:55

Rreth 45 fëmijë vdesin në Klinikën e Pediatrisë në QKUK. Ky numër më së shumti shkaktohet nga sëmundja e leukemisë

“Klinika e Pediatrisë nuk do të mund të ekzistonte pa donacione”, deklaron drejtori Muharrem Avdiu për Gazetën Shneta. Ai thotë se është angazhuar në drejtim të donacioneve dhe për shkak të fëmijëve është arritur të bëhen një numër i madh investimesh.

Avdiu përmend organizatat dhe institucionet që e kanë ndihmuar Pediatrinë nga shtetet si Italia, Turqia, por thotë se KFOR-i është miku më i madh i Klinikës dhe siç e quan ai “hataja për t’mirë”. Ai shton se edhe bashkatdhetarët dhe qytetarët e Kosovës e kanë ndihmuar në masë të madhe Pediatrinë.

Por nga QKUK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë, nuk kanë pranuar shumë investime.

“Kohë pas kohe kemi investime dhe nuk mundem me thënë se nuk na ndihmojnë, por mundem me thënë se kur bëhet fjalë për Pediatrinë, e ‘shtrëngojnë dorën’. Por bëjmë edhe presion dhe jemi të vendosur në kërkesat tona”, ka deklaruar Avdiu.

Ai ka shtuar se edhe sa u përket materialeve shpenzuese kanë donacione, ndërsa tërheq vërejtjen se Pediatria, sikurse edhe klinikat tjera, përballet me mungesë të barnave esenciale.

“Na ndodhë shumë shpesh që të mos i kemi disa barna të cilat përdoren më së shumti në trajtimet e Pediatrisë dhe për këtë pacientët detyrohen t’i blejnë vet, por në disa raste të tjera i kemi disa barna që kushtojnë më shtrenjtë, por që përdoren më pak”, ka treguar Avdiu.

Ai tregon se në Pediatri, në 5 vitet e fundit janë mbi 40 raste të vdekjeve të fëmijëve për çdo vit.

“Leukemia e avancuar është shkaku më i shpeshtë që çon në vdekjen e fëmijëve, poashtu veset e rënda të zemrës, sindromet e ndryshme e sëmundje të metabolizmit”, deklaron Avdiu.

Pediatria ka rreth 38 mijë vizita gjatë një viti, ndërsa mbi 6 mijë raste hospitalizohen. /Gazeta Shneta/