Zyra Kombëtare e Auditorit ka publikuar raportin financiar vjetor të Ministrisë së Shëndetësisë.
Përveçse janë gjetur shumë mangësi në menaxhimin e buxhetit, në raport janë theksuar edhe dallaveret që bëhen ndërmjet mjekëve të dhe zyrtarëve të kësaj ministrie në krye me ish-ministrin Imet Rrahmani, shkruan Gazeta Shneta.
ZKA ka gjetur se Ministria e Shëndetësisë me vendim të ministrit Rrahmani ka paguar kujdestari që nuk janë mbajtur fare nga mjekët në specializim.
“Me vendim të Ministrit ishin kompensuar për kujdestaritë e mbajtura, mjekët në specializim të rregullt që paguhen përmes listës së pagave. Shuma e kompensuar për vitin 2016 për këtë kategori të specializantëve ishte 68,579€. Mirëpo ne kemi vërejtur se ky vendim është në kundërshtim me Udhëzuesin”, thuhet në raport.
Raporti citon Udhëzimin Administrativ sipas të cilit, për Shkollimin Specialistik dhe Subspecialistik, së paku dy kujdestari brenda muajit janë të obligueshme për plotësimin e programit për të cilin kompensohen specializantët.
Obligimet që dalin nga ky UA dhe që duhet përmbushur nga specializantët janë theksuar edhe në kontratat individuale, të nënshkruara prej tyre.
“Kompensimi është bërë në bazë të listës përmbledhëse mujore për kujdestaritë e mbajtura, të dërguara për pagesë nga ShSKUK-ja në MSh. Mirëpo raportet e ofruara për dokumentimin e kujdestarive të mbajtura nuk ofrojnë mbështetje të mjaftueshme pasi së paku në pesë raste, mungonte nënshkrimi i specializantit që ka mbajtur kujdestari”, është konstatuar në gjetjet e raportit.
Sipas ZKA, rreziku i keqpërdorimit të parave qëndron në kompensimin e specializantëve në kundërshtim me rregulloret e aplikueshme dhe në mungesë të dëshmive relevante.
Ministria e Shëndetësisë poashtu rezulto se shpenzon buxhet në mënyrë të paarsyeshme duke paguar 24 mjekë specialistë që janë në marrëdhënie pune me SHSKUK-në e dhe e cila është organizatë e veçantë buxhetore. /Gazeta Shneta/