Mbi 7 milionë euro për trajtimin e pacientëve në spitalet private dhe jashtë shtetit

2017-03-23 në ora 09:23

Mbi 7 milionë euro janë ndarë nga Ministria e Shëndetësisë për këtë vit, për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike

Bujar Vitija

Udhëzimi i ‘famshëm’ administrativ që ishte shkas për ngritjen e aktakuzave ndaj mjekëve, është duke u ndryshuar dhe pritet të hyjë në fuqi gjatë muajit prill.

Udhëzimi Administrativ për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike, është hedhur në konsultime publike më 20 mars dhe pritet të merren konsultime nga palë të tjera, para se të nënshkruhet nga ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, shkruan Gazeta Shneta.

Me ndryshimet në këtë udhëzim, qytetarët do të jenë të obliguar që të dërgojnë dy profatura nga dy institucione shëndetësore, ku njëra nga to duhet të jetë nga Kosova. Profaturat kërkohen në rastet kur nuk ka çmime referente për diagnozat e përcaktuara në udhëzim.

Udhëzimi i ri i përcakton edhe diagnozat për cilat raste Ministria do të përkrah qytetarët për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore”, ka deklaruar Faik Hoti, zëdhënës i MSH-së.

Ai ka shtuar se në udhëzim do të vendoset edhe shtojca e çmimeve referente për diagnoza të caktuara, ndërsa ka bërë të ditur se mbi 7 milionë euro janë caktuar për trajtimin e pacientëve.

“Vlera maksimale të cilën MSH, përkatësisht Fondi i Sigurimeve Shëndetësore do të mbulojë është deri në 30.000 euro, me përjashtim të rasteve nga hemato-onkologjia pediatrike (leukemitë), të cilat do të mbulohen me vlera shumë më të larta, sepse janë të kushtueshme. Për rastet e tjera, përjashtim leukemive të fëmijëve që kushtojnë mbi 30 000 euro, ka të drejtë të vendos vetëm Qeveria”, ka deklaruar Hoti.

Nisja e hetimeve dhe ngritja e aktakuzave për shkak të këtij udhëzimi, më së shumtit ka prekur klinikën e Kardiologjisë në QKUK. Drejtori Basri Sejdiu, ka dërguar sugjerimet për ndryshime në udhëzim, duke deklaruar se mjekët po ngurrojnë të referojnë pacientë për shkak të paqartësisë juridike.

Hoti thotë se për rastet emergjente, UA i ri ka paraparë që aplikuesi ofron raportin emergjent nga ekipi kujdestar i përbërë prej 3 mjekëve, ku së paku njëri prej tyre është specialist i lëmisë përkatëse. Aplikimi dorëzohet në Divizionin për TMJISHP  brenda afatit prej 72 orësh (3 ditë) nga momenti i lëshimit të raportit emergjent,  dhe fletë-lëshimi për rastet e spitalizuara,  duke mos llogaritur ditët e vikendit dhe festave zyrtare.

“Raporti dhe fletë-lëshimi për rastet emergjente duhet detyrimisht të përmbajnë orën dhe datën e saktë, ndërsa Drejtori i Fondit lëshon fletë zotimin për mbulim të shpenzimeve për trajtimin mjekësor sipas kritereve të me UA, me çka pacienti e fillon trajtimin sa më parë në spitalin ku do të trajtohet, ndërsa procedurat procedurat administrative duhet të përfundohen në pajtim me këtë udhëzim administrativ në afat sa më të shkurtër kohor”, pohon Hoti.

Ai shtoi se me Udhëzimin e ri, qytetarëve u është krijuar edhe një mekanizëm i ri-Komisioni i ankesave, të cilit ata do të mund t’i drejtohen nëse nuk janë të kënaqur me vendimin e Komisionit Mjekësor apo Bordit Ekzekutiv të Programit në përgjigjen definitive në kërkesën e tyre. /Gazeta Shneta/