Një gomone që po transportonte emigrantë nga brigjet turke në ato greke është përmbysur në ujërat e Detit Egje, duke shkaktuar mbytjen e 16 personave, përfshirë 2 fëmijë.
Lajmi u bë me dije nga autoritetet greke, ndërkohë që 2 persona janë shpëtuar.
Anijet e shpëtimit dhe helikopterët janë ende duke kërkuar për njerëz të tjerë që mendohen të mbytur, transmeton Gazeta Blitz.
Trupat e 9 personave, 6 gra, 2 burra dhe 1 fëmijë janë gjetur nga varkat e shpëtimit në zonën pranë ishullit të Lesbos, ku ndodhi dhe tragjedia.
Një nga gratë e shpëtuara mësohet se është shtatzënë. Ajo u ka treguar autoriteteve se kanë qenë mbi 25 persona që kishin hipur në gomone.
Alarmin për tragjedinë e dha një anije që kishte pikasur rastësisht mjetin e lundrimit të emigrantëve që ishte përmbysur për shkak të motit të keq.
Numri i njerëzve që kalojnë detin Egje ka rënë ndjeshëm gjatë vitit të fundit, por rasti i fundit tregon se rreziku për humbjen e jetës së njerëzve mbetet real, pasi ka ende njerëz që dëshirojnë të shkojnë në Europë, duke marrë parasysh dhe rrezikun e vdekjes.