Më shumë se 55 për qind e mjekëve janë shprehur të pakënaqur me vlerën e koeficientit të pagave në një anketë të Odës së Mjekëve të Kosovës.
Mbi 55 për qind e 1436 mjekëve të anketuar janë shprehur të pakënaqur me vlerën e koeficientit prej 105 Eurove, shkruan Gazeta Shneta.
Ky është rezultati i një ankete të realizuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës gjatë ditës së sotme pas publikimit të vlerës së koeficientit nga Qeveria e Kosovës.
Me këtë vlerë mjekët specialistë do të kenë pagë 1260 Euro. Me kaq do të paguhen edhe stomatologët specialistë, psikologët klinik dhe farmacistët klinik.
Sipas kryetarit të OMK-së Pleurat Sejdiu barasvlerësimi me psikologët është një nga arsyet e pakënaqësisë së mjekëve.
“Ne kete rezultat ka ndikuar pritshmeria e madhe se do jete mbi 120 euro vlera e koeficientit si dhe rangimi i psikologeve klinik ne rang me mjek kur ata nuk i kan kompetencat e mjekut por jane terapeut pra nuk kane drejt diagnostifikimi as ordinimi te terapise apo referimit per diagnostifikim paraklinike”, ka deklaruar Sejdiu.
Pakënqësi me këtë vlerë të koeficientit janë shprehur edhe nga kryetarja e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Tevide Imeri, e cila ka bërë të ditur se veprimet sindikale do të diskutohen nesër në Këshillin Drejtues të kësaj sindikate. /Gazeta Shneta/