Mërgimtarët i ndreqin dhëmbët në Kosovë për shkak të çmimeve të ulëta

2018-08-16 në ora 21:35

Si duket mërgimtarët përveç pushimit kanë punë edhe në ndreqjen e dhëmbëve në Kosovë.

Dentistët gjatë verës janë shumë të zënë, dhe në krahasim me sezonet e tjera del se numri i pacientëve është rritur ndjeshëm.

Ndërsa numri më i madh i pacientëve të cilët dëshirojnë t’i rregullojnë dhëmbët janë mërgimtarët, kjo për shkak të çmimeve të ulëta në krahasim me vendet ku ata jetojnë dhe veprojnë.

“Për shkak të çmimeve të cilat këtu janë më të volitshme, edhe shërbimet janë në nivel të duhur. Në Gjermani rregullimi i një dhëmbi kushton nga 700 euro e më shumë”, ka thënë pacienti nga Gjermania për Klan Kosova.

E, njëri ndër stomatologët në Prishtinë ka thënë se gjatë sezonit të verës iu shtohet puna dhe ata rrallë herë shkojnë në pushime në këtë kohë, përcjell albinfo.ch.

“Në muajt korrik dhe gusht kemi punë më shumë dhe ekziston dallimi me muajt e tjerë”, thotë stomatologu.