Mikrocefalia tek bebet: Shkaqet, simptomat dhe trajtimi

2018-02-06 në ora 15:44

Mikrocefalia është sëmundja që shkakton zhvillimin e trurit jo në masën e duhur, për shkak të zvogëlimit të kafkës. Diagnoza e kësaj sëmundje mund të vërtetohet në mënyrë fare të thjeshtë, mjafton të masni perimetrin e kokës së fëmijës.

Ritmi mendor i fëmijës është shumë i vonuar, sepse ata kanë një tru që nuk e ka përfunduar zhvillimin e tij. Për fat të keq, me shumë pak përjashtime, mikrocefalia është një sëmundje e pashërueshme.

Cilat janë shkaqet e mikrocefalisë?

Shkaqet e mikrocefalisë janë të shumta. Ndër to mund të përmendim anomalitë në kromozome, si për shembull ndryshimi i tyre në strukturë ose në numër. Në kushte normale, bashkimi i nyjeve të kafkës së kokës ndodh pas lindjes, në mënyrë që truri të ketë hapësira për tu zhvilluar aq sa duhet. Një tjetër shkak mund të jenë efektet anësore të ilaçeve që nëna merr gjatë shtatzanisë, abuzimi me alkoolin, etj.

A mund të parandalohet mikrocefalia?

E vetmja gjë që nëna ka në dorë për të parandaluar këtë sëmundje është të mos përdorë alkool, substanca toksike, apo ilaçe me efekte të rënda anësore gjatë periudhës së shtatzënisë.

Cilat janë shenjat e të prekurve nga mikrocefalia?

Fëmijët e prekur nga kjo sëmundje mund të shfaqin vonesa mendore, probleme me socializimin, vonesë në të folur, vështirësi në përshtatje, hiperaktivitet, shtrëmbërime të fytyrës, vështirësi në mbajtjen e ekuilibrit, epilepsi dhe anomali të tjera neurologjike.

Kujdes!

Nëse fëmija tregon një vonesë mendore dhe pasoja të ndryshme që lidhen me të, është mirë të marrë një trajtim e kurë të veçantë. Qëllimi është të mësojë të kujdeset për veten, në mënyrë që të bëjë jetë të pavarur nga të tjerët.

A mund të trajtohet?

Ka vetëm disa raste specifike kur ky problem mund të zgjidhet përmes ndërhyrjes kirurgjikale, e cila konsiston në ndarje të strukturës së kafkës dhe rimodelimin e saj.

Individët që e kanë të theksuar këtë problem vuajnë nga paaftësi të mëdha dhe kjo ndikon shumë negativisht nën cilësinë e jetës së tyre. Ndërsa personat me mikrocefali të butë kanë një jetë më pranë asaj normale.