Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, i cili gjatë fushatës zgjedhore shihej me grumbull të qytetarëve bashkë me partinë e tij LDK-në, tashmë po i kritikon qytetarët se nuk po i mbajnë maskat dhe distancën.
Zemaj sot ka mbajtur një takim të Komitetit për vlerësimin dhe koordinimin e pandemisë Covid-19. Ministri ka deklaruar duhet të vazhdohen masat rigoroze dhe përkufizimi i lëvizjes dhe aktiviteteve sipas sëmundshmërisë nëpër komuna, duke i klasifikuar ato sipas tri ngjyrave (kuq, verdhë dhe gjelbër), varësisht prej numrit të infektuarve brenda një jave në 100.000 banorë.
“Ka ulje të rasteve me COVID-19 në 1.16 për qind. Sipas situatës aktuale, duhet të vazhdohet masat rigoroze. Distanca fizike ka filluar të mungojë, maskat gjithashtu”, u shpreh Zemaj.
“Të vazhdojë zbatimi me përpikëri i vendimeve të Qeverisë me kontrollin rigoroz nga inspektoratet dhe policia duke bërë mbikëqyrjen strikte të zbatimit të masave parandaluese në çdo institucion të vendit (publike, private, shkollore, fetare, degë të ekonomisë, gastronomi, transport publik, taksi) me mbikëqyrje të brendshme nga Task Forcat dhe të ketë kufizime rigoroze në të gjitha degët e ekonomisë ku ka grumbullim të pakontrolluar të njerëzve. Në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse nga të gjitha institucionet publike dhe private: Distanca fizike, përdorimi i maskave, dezinfektimi dhe ajrosja e lokaleve”.
Ai theksoi se nga data 4 shkurt 2020 deri më 21 shkurt 2021, u testuan gjithsej 285.900 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2. Gjurmimi i rasteve aktive është bërë nga ekipet e IKSHPK-së, Deri më sot janë 66.380 raste ose 23.4 % e mostrave të testuara janë pozitive. Deri më 21 shkurt 2020, janë 58.169 të infektuar të shëruar, ose 87.6 %. Aktualisht janë 6.639 raste aktive (10.0 %). Në dy javët e fundit (07.02.2021 deri 20.02.2021) janë raportuar 4.122 raste pozitive, 49 raste fatale, ndërsa CFR është 1.18 %. Deri më tani, janë regjistruar gjithsej 1.572 vdekje me një shkallë të letalitetit prej 2,3 %. /Gazeta Shneta/