Ministri i ri i Shëndetësisë Dr. Arben Vitia ishte kërcënuar dhe sulmuar fizikisht nga gjinekologu Dr. Arsim Gashi. Ky i fundit madje e kishte kërcënuar edhe me vrasje, pasi Vitia e kishte larguar përkohësisht nga puna në QMF 5.
Gjinekologu Dr. Arsim Gashi ishte larguar nga puna në QMF 5 në “Dardani”, për shkak të ankesave ndaj tij dhe shkeljes së normave të punës, si dhe për kërcënimet që ia kishte bërë drejtorit të QKMF-së Rrezart Halili, shkruan Gazeta Shneta.
Pas largimit nga puna, Gashi e kishte kërcënuar edhe drejtorin e Shëndetësisë në Prishtinë Dr. Arben Vitia, i cili tani është ministër i Shëndetësisë. Madje Gashi e kishte kërcënuar edhe me vdekje, si dhe e kishte sulmuar fizikisht Vitinë derisa ky i fundit bashkë me gruan e tij po e merrnin djalin e tyre nga shkolla.
“Së fundmi, më 31 janar, kërcënuesi Arsim Gashi ka ndjekur z. Vitia teksa ky i fundit bashkë me bashkëshorten po merrnin djalin e tyre nga shkolla. Ai e ka ndalur, dhe në prezencë të familjes e ka sharë, kërcënuar dhe sulmuar fizikisht, duke i dhënë afat 24 orë për ta tërhequr vendimit ‘ose përndryshe do të bëhet gjaku deri në gju, dhe do të jesh në gjak me mua, e nëse për ‘dërzhavën’ do me hy në gjak me mu, vazhdo’”, thuhej në njoftimin e komunës, shkruan gazeta shneta.
Në të gjitha rastet e kërcënimeve, Halili dhe Vitia e kishin denoncuar Gashin në Policinë e Kosovës, por ai ishte lënë i lirë nga prokurori.
“Me tri denoncime për kërcënim brenda një jave, edhe për sulm fizik, prokurori i rastit, Musa Mehaj ka vendosur që ta lë të lirë kërcënuesin dhe sulmuesin. Prej rastit në rast, kërcënuesi Arsim Gashi veç e ka rritur dozën e kërcënimit, duke bërë edhe sulm fizik, e duke paralajmëruar edhe gjakderdhje. Një prokuror i tillë si Musa Mehaj, që nuk ndërmerr masat e duhura në kohë, është përgjegjës për çfarëdo pasoje të radhës në këtë çështje. Në një shtet të mirëfilltë e ligjor, ai prokuror qysh sot do të ishte duke u ndjekur penalisht”, thuhej në njoftim.
Në fund komuna e Prishtinës ishte zotuar se përkundër këtyre kërcënimeve dhe sulmeve nuk do të ndalet dhe nuk do të mund të zmbrapset. /Gazeta Shneta/