Ministri i Shëndetësisë Dr. Arben Vitia, iu ka bërë thirrje qytetarëve që të mos dalin jashtë në mënyrë që të ruajnë shëndetin e familjeve të tyre.
Vitia në një paraqitje në RTV Dukagjini ka deklaruar se sot në ora 15:00 do të takohet edhe me ministrat tjerë nga Qeveria në mënyrë që të shihet mundësia për marrjen e masave tjera për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.
“Dje kemi pasur një takim me z. Svecla, sot kemi edhe me ministrat e tjerë në ora 15:00, ku do të shohim si të reagojmë dhe si të marrim masa të reja. Por, si institucion mund të shohim se cila është më e mira, prandaj do të bëjmë edhe një takim për të parë sesi do të reagojmë. E shfrytëzoj rastin të bëj apel, edhe kur janë orët kur mund të lëvizni, mos dilni pa pasur një domosdoshmëri, qoftë për tu furnizuar, qoftë për ndonjë ndihmë mjekësore, përndryshe po e përsëris prapë atë që ka thënë profesori Ramadani ‘virusi nuk ka këmbë, ne i japim këmbët virusit për të dal jashtë’, e pastaj e sjellim edhe të familjarët”, tha Vitia.
Ministri i Shëndetësisë ka lutur të gjithë qytetarët që të tregohen solidar më njëri-tjetrin, me veten e familjarët, sepse siç tha ai mënyra më e mirë për të tejkaluar këtë situatë është qëndrimi në shtëpi.
“Tani është koha të tregohemi solidar për shëndetin e njëri-tjetrit. Ju lutem, ju lutem qëndroni në shtëpi, edhe në orët kur lejohet lëvizja, mos dilni, mos dilni, ruajeni shëndetin tuaj e të familjarëve tuaj. Për momentin është mënyra e vetme qëndrimi në shtëpi, për ta tejkaluar këtë”, ka thënë Vitia.