Rreth 1200 pacientë të prekur nga sëmundja e epilepsisë po përballen me mungesë të barnave në Klinikën e Neurologjisë në QKUK.
Drejtori i kësaj klinike, Dr. Nexhmedin Shala, konfirmon se në Neurologji është duke munguar furnizimi me barna nga MSH.
“Barnat nga Lista Esenciale mungojnë dhe pacientët detyrohen t’i blejnë vet”, ka deklaruar Shala për Gazeta Express.
Për këtë çështje ka reaguar edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve. Ky koalicion shpreh shqetësimet se fëmijët që bartin këtë sëmundje paragjykohen dhe diskriminohen nga shoqëria. KOMF thotë se duhen profesionistë të duhur për trajtimin e kësaj sëmundjeje.
“Fëmijët me epilepsi që jetojnë në familje me të ardhura të ulëta dhe me të ardhura të mesme, për arsye të vështirësive financiare nuk mund të marrin trajtimin që u nevojitet. KOMF-i rekomandon që Ministria e Shëndetësisë duhet të ndërmarrë veprime për një furnizim afatgjatë dhe të qëndrueshëm të barnave në SHSKUK, për të garantuar se fëmijët do të marrin trajtimin e duhur dhe që barnat nga lista esenciale nuk do të mungojnë”, thuhet në reagimin e KOMF-it.