Ministria e Shëndetësisë ka paraqitur raportin e gjendjes shëndetësore të të burgosurit Naser Makolli i cili vdiq dje në Burgun e Lipjanit.
Në raportin e dërguar për media, Ministria e Shëndetësisë ka përshkruar gjendjen shëndetësore të Makollit, nga koha kur i ndjeri është transferuar në qendrën e paraburgimit në Lipjan.
“I burgosuri ka qenë duke u mbajtur në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan që nga data 09.12.2016. Gjatë kësaj kohe ka qenë nën trajtim të vazhdueshëm mjekësor bazuar në indikacionet mjekësore. Më 27.03.2017 është dërguar në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), në Klinikën e Gastroenetrologjisë, ku është diagnostikuar me Enterokolit (pezmatim i zorrëve)”, thuhet në raportin e ministrisë së shëndetësisë,
Sipas këtij raporti, mostrat janë dërguar më datën 28 mars dhe kanë vazhduar më 29 dhe 30 mars.
“Dje në mëngjes, i burgosuri prapë është kontrolluar nga mjeku i burgut dhe, sipas tij, nuk ka pasur ndonjë çrregullim tjetër serioz dhe se të gjitha shenjat vitale kanë qenë në normë. Në mesditën e të hënës, rreth orës 12:45, gjendja e të burgosurit është përkeqësuar. Menjëherë, mjeku dhe stafi i tij mjekësor kanë ofruar ndihmën mjekësore në dhomën e të burgosurit dhe pastaj, me oksigjeno- terapi dhe terapi infuzive është dërguar nga njësia e transportit dhe në përcjellje të Kryeinfermierit për në Emergjencën e QKMF-së në Lipjan”, thuhet më tej në raport.
Raporti tregon se ndihma e parë dhe reanimimi i është ofruar edhe gjatë transportit si dhe në QKMF-në në Lipjan ku është konstatuar vdekja e pacientit.
Bazuar në Ligjin për Shëndetësi, rasti është dërguar për në autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku do të konstatohet shkaku i vdekjes pas ekspertizës mjeko-ligjore.
Sipas Rregulloreve në fuqi, DSHB i MSh-së ka themeluar një Komision të brendshëm për verifikimin e të gjitha procedurave mjekësore të aplikuara lidhur me rastin.