Studenti i Fakultetit të Mjekësisë, Florent Hoxha, ka përfituar 30 mijë euro subvencion për shërim jashtë vendit nga Ministria e Shëndetësisë.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga MSH-ja.
“Me qëllim të eliminimit të keqinformimit dhe keqpërdorimit nga palë të ndryshme të rasteve që aplikojnë për trajtim jashtë vendit për sëmundjet që nuk mund të trajtohen në tërësi në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë informon publikun se, bazuar në legjislacionin në fuqi dhe dokumentacionin mjekësor, të prezantuar me rastin e aplikimit, ka mbështetur në vlerë prej 30 mijë eurove trajtimin mjekësor jashtë vendit të pacientit Florent Hoxha, i prekur nga Leukemia akute”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Ministria thotë se aplikimi për Hoxhën është bërë më 6 dhjetor, ndërsa fletëzotimi i është lëshuar dy ditë më vonë.
“Shuma e ndarë është konform kritereve që i parasheh Udhëzimi Administrativ 03/2017 Trajtimi Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike”, thuhet në njoftim.
Krahas kësaj, Ministria e Shëndetësisë ka ofruar për pacientin edhe opsionin e trajtimit falas në Republikën e Turqisë, sipas Marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar midis dy shteteve, me të cilën Turqia mbulon falas trajtimin e 100 pacientëve kosovarë në vit, në spitalet publike të këtij shteti.
“Ministria e Shëndetësisë, gjithsesi, respekton të drejtën e pacientit për të zgjedhur spitalin për mjekim”, përfundon njoftimi.