Është bërë një vit që QKUK-ja nuk është furnizuar me material për proteza për Shërbimin e Ortoprotetikës.
Pacientët që kanë humbur gjymtyrë ose që kanë deformime të ndryshme, nuk po mund të bëjnë zgjidhje në QKUK.
Drejtori i këtij shërbimi Lulzim Geci, ka deklaruar se janë në pritje për furnizim pasi kanë dorëzuar kërkesën në Ministrinë e Shëndetësisë, shkruan Gazeta Shneta.
Gjatë këtij viti kanë filluar të regjistrohen pacientë të cilët kanë nevojë për proteza të ndryshme, ndonëse në pritje janë pacientë që nga viti i kaluar.
Kërkesa për furnizim është konfirmuar edhe nga zyra e drejtorit të SHSKUK-së.
“Shërbimi i ortoprotetikes ka dorëzuar kërkesën në Ministri të Shëndetësisë, sipas nevojës që ka ky shërbim, për të mbuluar nevojat e pacientëve të kësaj kategorie. Jemi në pritje të furnizimit nga Ministria. Sapo të ndodhë ky furnizim pacientët do të njoftohen se mund të marrin këtë shërbim, tek Shërbimi i Ortoprotetikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Gazeta ka provuar të marr përgjigje edhe nga Ministria e Shëndetësisë, mirëpo zëdhënësi Faik Hoti nuk ka dhënë sqarime. /Gazeta Shneta/