Ministria e Shëndetësisë ka publikuar njoftimin për kontratë mbi 18.5 milionë euro për adaptimin e spitalit Covid në Qendrën Klinike Universitare.
Projekti me vlerën e parashikuar 18,683,463,34 parasheh adaptimin e ndërtesës së re të Emergjencës në QKUK, në spital Covid për nevoja të pandemisë, shkruan Gazeta Shneta.
Në njoftimin për kontratë nuk është specifikuar afati kohor për përfundimin e punimeve, por është kërkuar nga ofertuesit që afati të jetë sa më i shpejt.
“Bazuar ne kërkesën e Njësisë se Kërkesës me Nr. protokolli 05-7943, afati kohore është kërkuar qe te jetë sa me i shpejte (emergjent) ne mënyre qe sa me pare te nënshkruhet kontrata. Sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Nr. 01 10, të datës 05.07.2020, përmes së cilës kërkohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet kompetente shëndetësore të ndërmarrin veprimet e nevojshme për rritjen e kapaciteteve te trajtimit për Covid 19”, thuhet në këtë dokument, transmeton gazetashneta.
Operatorët ekonomikë kanë afat 20 ditë të dorëzojnë ofertat e tyre.
Me procedurë emergjente Ministria e Shëndetësisë i ka dhënë edhe 380 mijë euro për këtë spital para një muaji. MSH ka shpërblyer kompaninë “Alb-Architect” me dy lote, Lot 1 – Projektimi i Klinikes Emergjente ne QKUK në vlerë 189 992,32 euro dhe Lot 2-Mbikëqyrja e projektit te Klinikes Emergjente ne QKUK në vlerë 189 957,75 euro.
Për këtë tender MSH ishte kritikuar pasi ishte dhënë kontrata për mbikëqyrjen e punimeve, derisa këto punime ende nuk kanë filluar. /Gazeta Shneta/