Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, është miratuar Koncept-Dokumenti për kategorizimin e pagave për profesionistët shëndetësorë.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, nëpërmjet një postimi në Facebook, transmeton Gazeta Shneta.
“Miratimi i Koncept-Dokumentit që bëmë sot në Qeveri, i hap rrugë kategorizimit të pagave edhe për profesionistët shëndetësorë”, ka shkruar Ismaili.
Ai ka thënë se nuk do të ketë reforma në sektorin shëndetësor “pa rritjen e pagave të atyre që punojnë 24 orë në 7 ditë të javës, që të jenë në gatishmëri të qytetarëve tanë në nevojë”.
Ismaili ka shtuar se do të punojë edhe me profesionistët e shëndetësisë, për të finalizuar detajet.
“Unë do të punoj ngushtë me të gjithë akterët me rëndësi, për finalizimin e detajeve që shumë shpejt të vijmë deri te një zgjidhje, e cila është e pranueshme edhe për vetë personelin”, ka përfunduar ai.
Tash e një vit profesionistët shëndetësorë po kërkojnë rritje pagash. Para një muaji, kirurgët në QKUK dhe Spitalet Regjionale kanë mbajtur greva me kërkesën për rritjen e pagave.
Ismaili është zotuar se deri në qershor të këtij viti, pagat për mjekët do të dyfishohen. /Gazeta Shneta/