Mjekët në Klinikën e Kardiokirurgjisë në QKUK janë kapur në sallën e operacionit, derisa pacientja e shtrirë në tavolinë ishte në shok hemorragjik.
Shefi i Kardiokirurgjisë Dr. Adem Grbolar dhe specializanti Dr. Endrit Shala, janë fjalosur pasi ishin hyrë në sallë për të intervenuar në një rast urgjent. Një burim nga Klinika e Kardiokirurgjisë i ka treguar Gazetës Shneta se rasti ka ndodhur derisa pacientja ishte e shtrirë në tavolinë në tamponadë kardiake dhe në shok hemorragjik.
“Pacientja ka qenë e shtrirë në sallë dhe po pësonte shok hemorragjik. Ishte shumë rast i rëndë dhe urgjent. Ata kanë filluar të fjalosen dhe specializanti ka filluar të xhiroj me telefon. Pastaj ka ndodhur incidenti kur Dr. Ademi e ka nxjerr specializantin nga salla”, ka thënë ky burim. Për fat të mirë pacientja ka shpëtuar.
Gazeta Shneta ka raportuar për këtë rast para dy ditësh dhe ka tentuar të sqarojë rrethanat përmes mjekëve që janë përfshirë në incident, por asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të flas.
Kujtojmë se rasti është raportuar në Policinë e Kosovës, ndërsa tanimë është hapur edhe në Prokurorinë e Shtetit. Ndërkohë edhe menaxhmenti i SHSKUK-së është duke pritur sqarimin e rrethanave për të marr masa. /Gazeta Shneta/