Mjekët në shkolla për edukim të nxënësve

2017-03-02 në ora 18:40

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se për çdo javë në secilën shkollë të kryeqytetit do të shkojnë mjekë për t’i edukuar nxënësit për përgjegjësit që kanë për shëndetin.

Ahmeti ka thënë se ekipet me nga dy mjekë, familjar ose stomatolog dhe një infermiere, do t’iu ligjerëojnë nxënësve tema varësisht prej moshës së tyre.

Njoftimi i plotë i Ahmetit:

Çdo javë në secilën shkollë do të shkojnë staf profesional mjekësorë, që do të kenë si qëllim në vete edhe edukimin e fëmijëve për shëndetin, e jo vetëm kontrollin apo intervenimin. Kjo nismë bëhet në mënyrë që t’i vetëdijesojmë nxënësit qysh në moshën e hershme për përgjegjësitë që kanë në raport me shëndetin ashtu, që t’i parandalojnë problemet eventuale shëndetësore në të ardhmen.

Secila Qendër e Mjekësisë Familjare do të formojë ekipe me nga dy persona, ku përfshihet një mjek familjar apo stomatolog dhe një infermiere apo asistente e stomatologjisë. Temat që do t’iu ligjërohen nxënësve nga ky staf profesional, do të përzgjedhen varësisht moshës që kanë nxënësit.

Fillimisht, projekti po testohet në 3 shkolla, meqë së shpejti do të nisin vizitat sistematike. Tutje, do të vazhdohet në secilën shkollë të Prishtinës, me të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë.

Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës falënderon stafin mjekësorë për angazhimin maksimal në këtë drejtim, duke iu dëshiruar suksese në vazhdimin e këtij projekti.

Kjo po bëhet pas disa muajve përgatitje intentsive dhe trajnimeve të stafit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), me ndihmën e OBSh-së dhe OJQ-së PEN, si dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit.