Mjekët shqiptarë në Zvicër synojnë të bashkohen në një shoqatë

2018-04-23 në ora 13:35

Mjekët shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia, po synojnë të organizohen me anë të një shoqate.

Iniciativën për këtë organizim e ka ndërmarr mjekja pediatre Emine Gashaj e cila punon në Spitalin e fëmijëve në St.Gallen, shkruan albinfo.

Ajo thotë se ka nisur komunikimin me shumë kolegë të saj në Zvicër, duke marr shembull shoqatat e studentëve për të cilët thotë se kanë arritur të bashkohen.

“Nuk ishte edhe lehtë që të kontaktohen personalisht të gjithë mjekët pa u njohur fare dhe nuk isha shumë optimiste që vijnë të gjithë”, thotë Gashaj për albinfo.ch, duke treguar se e gjithë ideja ishte spontane që të bëjë një organizim mes mjekëve që të njihen me njëri-tjetrin.

Në grupin e atyre që ka arritur t’i identifikojë Eminja, figurojnë asistentë të mjekëve deri te kryemjekët, por ka edhe mjekë që menaxhojnë ordinancat e tyre private apo që punojnë nëpër spitalet zvicerane.

Shumica e mjekëve kanë studiuar në vendet e tyre të lindjes, ndërsa më pak janë ata që kanë përfunduar edukimin në Zvicër.

“Mjekët që vijnë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës janë ndoshta pak më shumë të lidhur me njëri-tjetrin sesa mjekët shqiptarë që janë shkolluar këtu, sepse ka mundësi qe kane studiuar bashke apo janë kyçur njëkohësisht në sistemin mjekësor në Zvicër”, tha Gashaj.

Eminja gjeti mbështetje për të realizuar këtë nismë edhe nga Valbona Miftari, psikiatria shqiptare e cila po ndjek specializim në vitin e fundit në  një Klinikë në Königsfelden. “Ne nuk pretendojmë që medoemos të bëhemi një shoqatë mjekësh, por pse të mos njihemi me njëri-tjetrin që nesër të marrim iniciativa të përbashkëta për të kontribuar në mjekësinë kosovare”, thotë Valbona Miftari.

Angiologu i vetëm shqiptar, Naim Mehmeti, shef reparti në Spitalin Kantonal në Ëinterthur, thotë se takime të tilla janë të mirëserdhura. “Eshtë mirë me u mbledh kështu, të paktën me dit kush është dhe ku nëpër Zvicër. Të njihemi me njëri-tjetrin duke ndihmuar sidomos ata që sapo kanë ardhur këtu, po pse mos të bashkohemi edhe me mjekët në Kosovë”, thekson mantelbardhi me prejardhje nga Gjakova duke treguar se ka arritur të sjellë dy mjekë nga Kosova për trajnime në Zvicër.

Sido që të jetë, një statistikë që do të tregonte numrin e mjekëve shqiptarë nuk ekziston, por ka një llogaritje nga njerëz të sektorit shëndetësor se numri i mjekëve shqiptarë në tërë Zvicrën mund të shkojë në mes 300 dhe 400 sish.