Fruthi nuk është vetëm një virus i zakonshëm, i cili pasi të kalojë harrohet dhe nuk rikthehet më.
E vërtetë që nuk rikthehet, por ky virus mund të lë pasoja të tmerrshme tek fëmijët, veçanërisht tek ata të moshës 1-2 vjeçare, shkruan Gazeta Shneta.
Mjeku Hamdi Ramadani ka shpjeguar në detaje pasojat e lehta deri te ato më seriozet që lë fruthi.
Ai thotë se nëse flasim për sëmundjen e fruthit në kushte normale, fëmija do ta kalojë pa probleme.
Mirëpo, virusi i fruthit hyn në inde dhe organe dhe pas zhvillimit kalon në sistem nervor, në zemër, në zorrë etj.
“Prandaj ka raste që shkakton ndërlikime dhe më së shumti kanë të bëjnë me aparatin respirator, siç janë pezmatimet apo pneumonitë që janë nga vet virusi por të cilat mund të jenë edhe nga baktere kur virusi e dëmton mukozën mbrojtëse”, tregon Dr. Ramadani.
Fruthu poashtu shkakton një pezmatim të veshit që quhet otitis, kemi dy raste në klinikë. Veshi kullon dhe duhet të jepet antibiotiku sepse shkaktar janë bakteret dhe virusi nuk jep sekrecion.
Ndërlikime tjera janë ato të sistemit nervor qendror siç është pezmatimi i cipave të trurit të cilat quhen ensefalite ose dëmtime nga fruthi.
“Ensefalitet mund të paraqiten edhe pas kalimit të virusit, 2 apo më shumë javë, por edhe pas disa viteve madje deri në 10 vite. Këto janë të rralla, por literatura mjekësore i njeh si të mundshme”, ka shpjeguar tutje mjeku.
Ai deklaron se këto komplikime ndodhin te fëmijët e pavaksinuar, kryesisht te fëmijët para moshës 2 vjeçare të cilët nuk janë imunizuar.
Prandaj Ramadani ka apeluar tek prindërit që t’i vaksinojnë fëmijët, pa frikën se kjo vaksinë mund të shkaktojë probleme tjera.
Fruthi është paraqitur në Kosovë që nga muaji qershor i këtij viti. Deri më tani janë prekur mbi 150 persona, ndërsa 2 pacientë kanë humbur jetën. Një fëmijë 15 muajsh dhe një i rritur 37 vjeçar, kanë vdekur pasi janë prekur nga kjo sëmundje. /Gazeta Shneta/