Mjeku Bujar Gashi i cili u sulmua fizikisht nga një pacient në Emergjencën e QKUK-së para disa ditësh, i ka ofruar ndihmën e tij dhe të kolegëve të tij spitalit të Traumës në Tiranë.
Këtë e ka bërë të ditur Dr. Blerta Humolli, specialiste e ortopedisë në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë, shkruan Gazeta Shneta.
Doktoresha Humolli ka publikuar mesazhin që ia ka dërguar Gashi. “Përshëndetje Doktoresha Blerta, jam Dr. Bujari specializant i ortopedisë nga Kosova! I shqetësuar thellë me gjendjen e krijuar pas tërmetit të mbrëmshëm, të lutem tregom nëse keni nevojë në spitalin e traumës për ortoped-traumatolog? 12 specializantë të ortopedisë jemi në gjendje gatishmërie të vijmë në çdo kohë”, i ka shkruar Gashi, mjekes nga Shqipëria.
Humolli e ka vlerësuar lart këtë gatishmëri të mjekëve të rinj nga Kosova për të ndihmuar të lënduarit nga tërmeti në Shqipëri ku deri më tani janë konfirmuar 15 viktima dhe qindra të lënduar.
Specializanti Gashi u sulmua ditë më parë nga një pacient derisa ishte në vendin e punës. Për këtë sulm sindikata e QKUK-së sot ka mbajtur një protestë. /Gazeta Shneta/