Fusha të ulëta barike, të stacionuara mbi Evropën qendrore, do të sjellin mbi rajonin tonë masa të ngrohta dhe jostabile ajrore nga Mesdheu.
Nën këto kushte gjatë ditëve në vijim do të vazhdoj të mbajë mot i ngrohtë, por i ndryshueshëm. Gjatë paradites do të ketë intervale më të gjata me diell, ndërsa orëve të pasdites priten zhvillime të vransirave lokale, të cilat do të shoqërohen me reshje lokale shiu, e vende-vende edhe me bubullima, njofton Prishtina Weather, transmeton Gazeta Shneta.
Ditëve të fundjavës, nga Mesdheu do të depërtojë një vorbull ciklonike që do të shtojë vransirat. Pasdite dhe në mbrëmje priten reshje lokale shiu, me mundësi edhe për bubullima. Ndërsa në fillim të javës së ardhshme do të depërtojnë edhe masa të ftohta ajrore që do të sjellin mot më të freskët, me vransira dhe reshje të dobëta shiu.
Temperaturat e ajrit deri në fundjavë do të mbesin mbi vlera mesatare për këtë periudhë kohore, me minimale nga 7C deri në 10C, e maksimale nga 19C deri në 22C. Në fillim të javës së ardhshme, maksimalet do të pësojnë rënie deri në 16C.
Era do të fryejë e lehtë dhe mesatare kryesisht nga jugu dhe perëndimi 3-6m/s. Shtypja atmosferike do luhatet rreth vlerave normale, e të dielen do të pësojnë rënie.