MSH bart tek Oda e Stomatologëve edhe kompetencat e ri-licencimit

2017-07-13 në ora 08:32

Ministri në detyrë i Shëndetësisë dr. Imet Rrahmani i dorëzoi sot Kryetarit të Odës së Stomatologëve të Kosovës, dr. Kujtim Shala, vendimin për bartjen e kompetencave për ri-licencim nga Ministria e Shëndetësisë tek Oda e Stomatologëve të Kosovës (OSK), thuhet në njoftim, transmeton Gazeta Shneta.

Sipas këtij vendimi, procedura për ri-licencim të stomatologëve në Kosovë do të fillojë pas valorizimit të Edukimit të Vazhduar Profesional (EVP) në pajtim me aktet në fuqi, ndërsa Ministria e Shëndetësisë do të mbështes bartjen e përgjegjësive dhe dokumentacionit për fillimin e procesit të ri-licencimit, duke asistuar stafin administrativ.

Ministri Imet Rrahmani tha se me bartjen e kësaj përgjegjësie nga MSh tek OSK, pothuajse po arrihet të përfundohet cikli i bartjes së kompetencave tek Odat e Profesionistëve Shëndetësor.

“Oda e Stomatologëve ka arritur t’i zhvilloj kapacitetet për bartjen e kompetencave të ri-licencimit, kështu që me bartjen e kësaj përgjegjësie, i dëshirojmë OSK punë efikase në ushtrimin e përgjegjësive të saja publike”, ka deklaruar Rrahmani, duke theksuar faktin se MSh do të vazhdojë të bart përgjegjësitë edhe tek Oda e Mjekëve, duke ushtruar në të njëjtën kohë përgjegjësitë e mbikëqyrjes së odave, sipas obligimeve ligjore, thuhet në njoftim.

“Vlerësoj se është bërë punë e madhe në funksionalizimin e odave pavarësisht se vendosja e afateve në ligj, ka qenë si një lloj mbingarkese në këtë process”, ka shtuar ai.

Kryetari i OSK, Kujtim Shala, falënderoi Ministrinë për bashkëpunimin në fuqizimin e kapaciteteve të kësaj ode dhe theksoi faktin se kjo odë do të vazhdojë procesin e fuqizimit të saj, për të dhënë kontributin në sistemin shëndetësor të Kosovës.

Ditë më parë, Odës së Farmacistëve, Odës së Infermierëve, Odës së Fizioterapeutëve dhe Odës së Stomatologavë i ishin bartuar nga MSh edhe kompetencat për akreditimin e programave të edukimit të vazhduar profesional, derisa kompetencat për edukim të vazhduar profesional dhe çështje etike janë bartuar vitin e kaluar. /Gazeta Shneta/