Përfaqësuesi i Asociacionit të Mjekëve të Gjermanisë për marrëdhënie me jashtë Domen Podnar vizitoi Odën e Mjekëve të Kosovës.
Me ftesë nga Ministria e Shëndetësisë, Podnar ka mbajtur një prezantim lidhur me praktikën gjermane lidhur me edukimin themelor mjekësor, shkollimin specialistik dhe edukimin e vazhdueshëm profesional, si dhe rolin e Odës së Mjekëve në këto procese. Në këtë takim të organizuar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, morën pjesë edhe përfaqësuesit e OMK-së dhe akterë të tjerë nga sektori i shëndetësisë.
Me rastin e vizitës së tij, Podnar po ashtu vizitoi zyret e Odës së Mjekëve të Kosovës me ç’rast e përgëzoi Kryetarin e OMK-së, Dr. Pleurat Sejdiun, për progresin dhe të arriturat që OMK-ja i ka realizuar në dy vitet e fundit, thuhet në njoftimin e OMK-së.
Kryetari i OMK-së, i dorzoi Podnar në emër të OMK-së, një mirënjohje në shenjë faleminderimi për përkrahjen e vazhdueshme të cilën e ka ofruar Asociacioni i Mjekëve të Gjermanisë për OMK-në që nga themelimi i saj, e deri te ndërkombëtarizimi dhe integrimi i OMK-së në organizata ndërkombëtare simotra, përfundon njoftimi. /Gazeta Shneta/