Ministria e Shëndetësisë ka licencuar Spitalin ‘Aloka’ për të kryer shërbimet e frytnimit të asistuar mjekësor, në kohën e njëjtë kur ua ndaloi punën katër klinikave tjera në Prishtinë
Para disa muajsh Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë ua ndaloi punën në shërbimin e IVF-së përkohësisht deri në një vendim tjetër katër klinikave private, shkruan Gazeta Shneta.
Kjo ndalesë u bë pas bastisjes dhe arrestimit të disa personave nga Policia e Kosovës, nën dyshimet për transferime të jashtëligjshme të qelizave dhe embrioneve.
Ndërkaq në të njëjtën kohë Ministria e Shëndetësisë ka licencuar një spital tjetër për këto shërbime. Është Spitali ‘Aloka’ i cili ka njoftuar se ka filluar me shërbimin e frytnimit të asistuar mjekësor. Gazeta Shneta ka dërguar disa pyetje në adresë të këtij spitali, por nuk ka marr përgjigje në lidhje me këtë shërbim.
Në anën tjetër burime të gazetës bëjnë të ditur se në MSH ende nuk e dinë se çfarë do të ndodhë me klinikat të cilave iu është ndaluar puna për këtë shërbim. /Gazeta Shneta/