Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka ide se çfarë do të bëjë me dhjetëra mjekë specialistë, të cilëve qe katër muaj gjykata ua ka anuluar vendimin për punë specialistike.
Dy shkallë të gjykatës e kanë cilësuar këtë vendim si të jashtëligjshëm. Vendimi i marrë nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ua ka mundësuar mjekëve që të marrin titullin specialist pa i plotësuar kushtet e nevojshme, shkruan sot e përditshmja Koha Ditore.
Janë dy raste në të cilat mjekëve u është mundësuar kjo. E para, një mjek ka mundur ta marrë titullin specialist i një lëmi edhe nëse nuk ka specializuar në të, por ka punuar në atë fushë për më shumë se pesë vjet.
E dyta, një mjek ka mundur ta marrë titullin specialist i një lëmi nëse nuk ka specializuar në të, por ka marrë gradë akademike doktor ose magjistër shkence në atë fushë.