Ministria e Shëndetësisë ka kufizuar testet për Covid-19 nëpër komunat e Kosovës, duke lejuar marrjen e mostrave vetëm për një numër të caktuar të personave që kanë simptoma të theksuara të virusit.
Gazeta Shneta ka mësuar nga burime se vendimi i MSH-së me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, i jep prioritet testimeve të mostrave nga Klinika Infektive, ndërsa ka vendosur që të lejojë testimin e vetëm një numri të caktuar nga komunat.
Lajmi është konfirmuar edhe nga zyrtarë të komunave të cilët kanë deklaruar për Gazetën Zëri se mbrëmë kanë marr një vendim nga MSH për këtë çështje.
Nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismjali, ka thënë se sot nuk do të ketë testime dhe presin rezultatin e mbi 100 mostrave që janë marrë ditë më parë, ndërsa ka thënë se një vendim i lëshuar mbrëmë nga Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se nuk do të ketë testime të reja.
“Janë pa u përfunduar edhe mbi 100 mostra të marra më datat 19-20. Sa kam informata, sot nuk ka mostra të marra për shkak të një vendimi nga Ministria e Shëndetësisë në koordinim me IKSHPK-në. Jo vetëm për ne, por është vendim i përgjithshëm, përveç të atyre që janë të shtrirë në Klinikën Infektive ose që kanë simptoma më të rënda të virusit, nuk do të testohen të tjerë”, ka thënë Ismajli
Po ashtu edhe drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka konfirmuar këtë, duke thënë se nga tani do të testohen vetëm rastet me simptoma.
“Vetëm rastet me simptoma do të mundë të testohen tani e tutje”, ka thënë Gashi për “Zërin”.
Të njëjtën e ka konfirmuar edhe drejtori i Shëndetësisë në Drenas, Arsim Haxhiu, i cili ka thënë se kanë marrë udhëzime që nuk do të testohen rastet e kontaktit.
Ai tha se qytetarët dhe institucionet duhet t’i përmbahen manualit të përpiluar nga Ministria e Shëndetësisë.