Ministria e Shëndetësisë ka dal me një sqarim për incidentin që ka ndodhur sot pranë zyrës së ministrit ndërmjet Armend Zemajt dhe inspektorëve të Inspektoratit Shëndetësor.
MSH ka mohuar pretendimet e inspektorëve për ofendime nga ministri Zemaj, por nuk ka sqaruar se për çfarë e kanë shantazhuar inspektorët ministrin Zemaj, shkruan Gazeta Shneta.
Në komunikatën e MSH-së thuhet se dy inspektorët shëndetësorë i kanë keqpërdorur kartat e identifikimit duke shkuar pa paralajmërim në Kabinetin e ministrit me kërkesën për pagesën shtesë prej 300 eurove. Sipas MSH-së, për arsye se është penguar puna e ministrit, dy inspektorët Naser Kuleta dhe Bashkim Vatovci, janë denoncuar në Komisionin Disiplinor.
Por në fakt ndryshe është interpretuar kërkesa e Zemajt për t’i dërguar dy inspektorët shëndetësor në Komisionin Disiplinor. Në emailin e kryeinspektores që e ka siguruar Gazeta, Nora Krasniqi me kërkesë të Zemajt i është drejtuar Sekretarit të MSH-së që të iniciojë procedurë disiplinore ndaj dy inspektorëve për “shantazh” ndaj ministrit Zemaj.
E për çfarë shantazhi bëhet fjalë, Ministria e Shëndetësisë dhe as Zemaj nuk e kanë sqaruar.
Më poshtë e gjeni komunikatën e plotë të MSH-së:
Ndërlidhur me pretendimet e dy inspektorëve shëndetësore për gjoja kërcënimin dhe fyerjen e tyre nga ana e Ministrit të Shëndetësisë, Ministria e Shëndetësisë shpjegon se Ministri Armend Zemaj as nuk ka pasur në agjendën e tij të punës sot takim me inspektorë shëndetësor dhe as nuk ka kërcënuar e fyer ndonjë inspektor shëndetësor.
E vërteta është se në orët e mëngjesit të ditës së sotme, derisa Ministri Zemaj po kryente punët e tij të rregullta dhe kishte palë të tjera të caktuara për takime, dy inspektorë shëndetësor (N.K. dhe B.V), duke keqpërdorur kartën e identifikimit të Inspektoratit Shëndetësor, pa paralajmërim të Kabinetit nga Kryeinspektorja të cilës i përgjigjen, kanë ardhur te Kabineti i Ministrit duke e penguar në punë drejtpërdrejt Ministrin, me kërkesa për pagesë të 300 eurove, të cilat ata i kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Duke qenë që të njëjtit nuk kanë pasur as takim të caktuar e as autorizim nga Kryeinspektorja për ta trajtuar këtë temë, Ministri nuk ka mundur t’i pres në takim për shkak se ka pasur të paracaktuara takime dhe agjendë tjetër.
Këtë shkelje të hierarkisë dhe përgjegjësive në punë dhe ndërhyrjen e tyre në punën e Ministrit, Ministri Zemaj e ka denoncuar tek Kryeinspektorja me qëllim të marrjes së masave disiplinore sipas Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor.
Për informacion të publikut, njëri prej këtyre dy inspektorëve gjatë kohës së pandemisë ka qenë i liruar nga puna për arsye shëndetësore dhe nuk ka kryer asnjë inspektim lidhur me Covid-19.
Ndërsa, sa i përket mos-përfshirjes së inspektorëve shëndetësor në shtesën prej 300 eurove, sipas Ligjit për Shëndetësisë dhe Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor, Inspektorati Shëndetësor është organ administrativ i MSh-së, ndërsa inspektorët nuk janë të klasifikuar në mesin e profesionistëve shëndetësorë.