Ministria e Shëndetësisë ua ka hedhur fajin mediave për keqkuptimin me një komunikatë për takimin e ministrit Dr. Arben Vitia me ambasadorin e Shqipërisë Qemajl Minxhozi.
Në komunikatën e parë MSH la të kuptohet me një fjali se do t’i ndihmojë qytetet veriore të Shqipërisë në situatën me koronavirusin.
“Në këtë takim, Ministri Vitia dhe Ambasadori Minxhozi biseduan për bashkëpunimin midis dy shteteve në fushën e shëndetësisë dhe për koordinimin e aktiviteteve për një përgjigje sa më efektive ndaj situatës epidemiologjike me Koronavirus Covid-19. Në këtë takim, Ministri Vitia ka shprehur përkushtimin e tij dhe të Ministrisë së Shëndetësisë që qytetarëve të zonave veriore të Shqipërisë t’u mundësohet ofrimi i shërbimeve shëndetësore në institucionet shëndetësore të Kosovës, në komunat Gjakovë e Prizren”, thuhet në komunikatën e parë të MSH-së.
Ndërkaq në komunikatën e dytë MSH ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për ndihmë për koronavirusin, por për pacientët e hemodializës. E për këtë keqkuptim kanë fajësuar mediat duke i quajtur “ndërlidhje qëllimkëqija”.
Gjeni më poshtë dy komunikatat e plota:
E para – Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Arben Vitia, priti sot në takim Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Qemajl Minxhozi.
Në këtë takim, Ministri Vitia dhe Ambasadori Minxhozi biseduan për bashkëpunimin midis dy shteteve në fushën e shëndetësisë dhe për koordinimin e aktiviteteve për një përgjigje sa më efektive ndaj situatës epidemiologjike me Koronavirus Covid-19.
Në këtë takim, Ministri Vitia ka shprehur përkushtimin e tij dhe të Ministrisë së Shëndetësisë që qytetarëve të zonave veriore të Shqipërisë t’u mundësohet ofrimi i shërbimeve shëndetësore në institucionet shëndetësore të Kosovës, në komunat Gjakovë e Prizren.
“Kjo është pjesë e një bashkëpunimi midis dy shteteve në shëndetësi, por edhe obligim vllezëror për të ndihmuar njëri-tjetrin”, tha Ministri Vitia.
Ambasadori Minxhozi nga ana e tij ka falënderuar Ministrin Vitia dhe MSh-në për gatishmërinë për të kontribuar në fuqizimin e bashkëpunimit në interes të qytetarëve të dy shteteve.
E dyta – Ministria e Shëndetësisë reagon ndaj ndërlidhjeve qëllimkëqija që disa media i kanë bërë një komunikate për media të lëshuar sot nga MSh pas takimit midis Ministrit Arben Vitia dhe Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Qemajl Minxhozi.
Në këtë takim, ndër të tjera, është shprehur përkushtimi i Ministrisë së Shëndetësisë që qytetarëve të zonave veriore të Shqipërisë t’u mundësohet ofrimi i shërbimeve shëndetësore në institucionet shëndetësore të Kosovës, në komunat Gjakovë e Prizren, por këto shërbime nuk kanë fare të bëjnë me Koronavirusin, por janë shërbime të hemodializës, të cilat qe disa vjet ofrohen në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës dhe në Spitalin e Përgjithsh të Prizrenit për pacientë nga veriu i Shqipërisë.
Fakti që disa media e kanë ndërlidhur një gjë të tillë me Koronavirusin, pa kërkuar asnjë shpjegim nga Ministria flet për qëllimin që pa kurrëfarë nevojë të krijohet konfuzion e panik në një situatë si kjo kur Koronavirusi është një shqetësim real i shëndetit publik në Kosovë, Shqipëri dhe kudo në botë.