Ministria e Shëndetësisë ka mbajtur sot një debat për draftin e Udhëzimit Administrativ me të cilin po synohet rregullimi i çmimeve për produktet dhe pajisjet medicinale
Ministria e Shëndetësisë ka bërë publik sot draftin e Udhëzimit Administrativ “Rregullimi i Çmimit të Produkteve dhe Pajisjeve Medicinale”. Ministri Uran Ismaili gjatë prezantimit ka deklaruar se përkundër përballjes me probleme kritike në prokurimin e produkteve dhe pajisjeve nga Lista Esenciale, MSH po kalon nëpër një reformë të madhe institucionale.
“Prokurimi i produkeve medicinale nga MSH deri më tani është bërë në mënyrë jo efikase, duke pasur jo vetëm çmime shumëfish më të larta, por edhe duke pasur vonesa në liferim, moskontroll të zinxhirit furnizues, mungesën e menaxherëve të kontratave, mungesën e produkteve të kontraktuara si pasojë e keqmenaxhimit të buxhetit”, ka deklaruar Ismaili.
Ai ka shtuar se MSH në të kaluarën ka realizuar kontrata me çmime të cilat kanë kaluar vlerën e tregut 200 deri 400 për qind. Po ashtu, këto çmime kanë tejkaluar edhe vendet fqinje.
Këtë udhëzim administrativ, ministri e ka cilësuar si masë mbrojtëse për parandalimin e korrupsionit dhe çmimeve të fryra.
“Udhëzimi Administrativ i Propozuar për rregullimin e çmimeve për produktet medicinale përcakton kufijtë e çmimeve të cilat MSH/apo autoriteti kontraktues do të lejohet të blejnë, duke lënë hapësirë për konkurrencë e cila natyrisht duhet të zhvillohet nën këtë çmim i cili do të konsiderohet si maksimal”, ka theksuar ai.
Në përgatitjen e drafit të UA-së ka asistuar edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ardita Tahirukaj nga kjo organizatë ka vlerësuar se pacientët do të kenë qasje më të lehtë në produktet medicinale të Listës Esenciale.
Drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Fatmir Plakiqi, ka thënë se qëllimi final është që të ketë çmime të cilat mund të rimbursohen nga MSH.
Me anë të këtij Udhëzimi do të krijohet edhe një komision, si dhe Lista Esenciale A dhe Lista Esenciale B. Produktet e LE B do të rimbursohen nga MSH. Poashtu në draft është theksuar se përcaktimi i çmimeve do të bëhet edhe për pajisjet medicinale, kur kjo gjë është e nevojshme.
“Bazuar në sistemin e brendshëm dhe të jashtëm të cmimit referent komisioni për çmime të produkteve medicinale do të vendosë çmimin maksimal blerës për produktet e LBE – A dhe çmimin e reimbursimit për produktet e LBE – B”, thuhet në pikën 2, Neni 4 i UA.
Më poshtë mund ta shkarkoni draftin e plotë të këtij udhëzimi.
/Gazeta Shneta/