Ministria e Shëndetësisë ka dhënë disa sqarime për Gazetën Shneta lidhur me përgatitjet që po bëhen kundër koronavirusit, si dhe shpenzimin e 400 mijë eurove të ndara nga Qeveria për këtë situatë. MSH ka deklaruar se ka mjaftueshëm respiratorë, ndërsa ka thënë se do ta furnizojë stafin me mjete mbrojtëse
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet rajonale janë rreth 63 respiratorë për trajtimin e rasteve të rënda në kujdesin intensiv, por rreth gjysma prej tyre aktualisht janë në shfrytëzim për pacientët e shtrirë në spitale. Mungesa e respiratorëve është një prej barrierave që po vështirëson përballimin e situatës me koronavirusin në Itali. Madje mjekët intensivisit atje kanë alarmuar hapur për këtë problem, shkruan Gazeta Shneta.
Por Ministria e Shëndetësisë në Kosovë po pretendon se ka mjaftueshëm respiratorë. Kështu ka deklaruar në disa sqarime që i ka dhënë Gazetës për përgatitjet që janë duke i bërë kundër Covid-19.
“Kapacitetet aktuale me respiratorë, sipas shërbimeve klinike që i përdorin ata i përgjigjen situatës për momentin. Megjithatë, është menduar që në Klinikën Infektive, sipas nevojës të dislokohen edhe respiratorë të tjerë nëse do të jetë nevoja për përdorimin e tyre, pa e përjashtuar mundësinë edhe të sigurimit të ndonjë respiratori shtesë”.
“Krahas furnizimeve vetanake nga buxheti i vet, MSh është duke mbajtur komunikim të rregullt edhe me partnerët e jashtëm, për të shfrytëzuar edhe ndihmën e tyre me çfarëdo furnizimi tjetër apo pajisjeje që ju hyn në punë profesinistëvë shëndetësor në situate të ngjashme si kjo me Koronavirus”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
MSH nuk ka dhënë përgjigje nëse do të punësojë staf shtesë për t’u kujdesur për pacientët potencial në rast të përhapjes së virusit. Por ka thënë se stafi aktual do të pajisen me mjete mbrojtëse të cilat përfshijnë gjithë trupin.
“Mjetet e ndara nga Qeveria e Kosovës po përdoren për të realizuar aktivitetet dhe masat e planit të veprimit të Planit të Gatishmërisë dhe të Reagimit kundër Coronavirusit Covid 19, përfshirë edhe sigurimin e pajisjeve mbrojtëse personale për stafin shëndetësore dhe shërbimet e tjera mbështetëse të cilat krahas ekipeve shëndetësore janë të angazhuara në aktivitetet kundër Covid 1, si Policia kufitare, dogana, etj. Gjithashtu edhe në ngrtijen e kapaciteteve për t’u ballafaqur me rastet e mundshme dhe realizimin e çdo aktiviteti që del nga ky plan dhe që ka ngarkesa financiare. Që nga fillimi i kësaj jave, këto shërbime do të pajisjen me respiratorë tjerë FFP2, veshje mbrojtëse për tërë trupin, mburoja për fytyrë, dorëza mbrojtëse, dezinfektues për duarë së bashku me dispenser dhe termometër infra të kuq për ballë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Kjo ministri ka thënë se në rast nevoje qendrat e karantinës do të vendosen jashtë spitaleve në të cilat do të trajtohen personat që kanë mundur të jenë në kontakt me persona të infektuar apo persona që i janë ekspozuar infektimit.
“Personat e prekur nga virusi vendosen në trajtim në dhoma të izoluara. Karantinat të cilat janë përcaktuar si të mundshme, kanë një pjesë të mire të infrastrukturës, ndërsa për një pjesë tjetër janë bërë planifikimet që të jenë gati në momentin që vendoset për to. Janë llogaritur edhe shpenzimet për një numër të konsideruar të personave që do të mund të vendoseshin në to”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Kujtojmë se vetëm Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë regjistruar ende asnjë rast zyrtarisht të prekur nga koronavirusi në rajon. Qeveria deri më tani ka ndarë 400 mijë euro për situatën ndërsa ka pezulluar fluturimet nga rajoni i veriut të Italisë ku ka shpërthyer virusi. /Gazeta Shneta/