Muharremaj sërish inspekton QMF-të, nuk e gjen infermieren në vendin e punës

2018-09-14 në ora 10:11

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, sërish është vënë në aksion për të disiplinuar stafin e Qendrave të Mjekësisë Familjare.

Kësaj radhe ai ka inspektuar QMF-në në fshatin Bukosh rreth orës 21:45 dhe ka gjetur se në vendin e punës ka munguar një infermiere, shkruan Gazeta Shneta.

“Qendren e Mjekësisë Familjare në fshatin Bukosh e vizitova sonte ora 21:45 dhe u vërtetova se aty mungon një infermiere pa asnjë arsyetim, ndërkohë që dy të tjerë ishin në vendin e punës”, ka deklaruar Muharremaj.

Ai ka bërë të ditur se ndaj infermieres do të merren masa dhe nuk do të ketë tolerime për askënd që nuk e respekton orarin e punës.

“Natyrisht ne do të marrim masa sipas dispozitave ligjore, dhe udhëzimeve në fuqi. Asnjë kompromis ndaj atyre që nuk e respektojnë orarin e punës dhe nuk u shërbejnë qytetarëve”, ka thënë Muharremaj.

Muharremaj ka inspektuar para një muaji edhe QMF-në në Studenqan ku përveç një infermiere, i gjithë stafi nuk ishte në vendin e punës. /Gazeta Shneta/