“Mungesa e barnave për neve është vdekje” – Ismaili s’e nënshkruan kontratën

2018-01-12 në ora 15:00

Pacientët në Klinikën e Nefrologjisë janë duke u përballur me mungesë të barnave. Në shenjë revolte, ata kanë refuzuar që të bëjnë ndërrimin e gjakut – gjë kjo që e zëvendëson një nga medikamentet e cila po mungon pasi ministri Uran Ismaili nuk e ka nënshkruar kontratën.

Në mungesë të medikamentit “Erythropoetin Beta”, pacientët në dializë detyrohen të bëjnë ndërrimin e gjakut në Klinikën e Nefrologjisë. Erythropoetina është hormon i cili prodhohet në veshka dhe stimulon prodhimin e rruazave të kuqe të gjakut.

Ky medikament është duke munguar që katër muaj dhe pacientët po detyrohen që ta blejnë vet, shkruan Gazeta Shneta.

Madje ata të revoltuar kanë refuzuar të bëjnë edhe ndërrimin e gjakut, ndërsa kanë paralajmëruar protesta tek Ministria e Shëndetësisë.

“Të gjithë pacientët e dializës po detyrohen me marr gjak. Gjaku po merret por është e pamundur që nuk do të marrim ndonjë sëmundje nga ai gjak. Kjo për neve është vdekje”, ka thënë Gjylie Lahu për RTK-në.

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, ishte zotuar kohë më parë se pacientët nuk do të kenë nevojë të blejnë barna të Listës Esenciale me paratë e veta.

Por ky zotim nuk është mbajtur pasi Ismaili ka bllokuar kontratat për furnizimin me barna të Hemodializës për të gjitha qendrat e Kosovës.

Gazeta Shneta ka raportuar edhe më herët për kontratën për furnizimin me “Erythropoetin Beta” e cila është dhënë në muajin tetor të vitit të kaluar, ndërsa ministri ende nuk e ka nënshkruar, për çka MSH nuk ka dhënë ndonjë datë të caktuar.

Kontrata për furnizim me këtë medikament është dhënë më 10 tetor. Kontrata është në vlerë 1 milion e 30 mijë euro me kohëzgjatje prej 2 vitesh. Çmimi për njësi në doza 2000 IU/0.3ml është 10.10 euro. /Gazeta Shneta/