Një prind bëri një postim në facebook, duke dhënë lajmin për ardhjen në jetë të fëmijës së tij.
Derisa shfaqej shumë i gëzuar për faktin se u bë baba, në të njëjtën kohë ai shprehu edhe shqetësimin e tij për gjendjen në spital, shkruan Gazeta Shneta.
Prindi denoncoi me një fotografi gjilpërën e blerë në barnatore private, për shkak të mungesës së materialit në QKUK.
Zyra e drejtorit të përgjithshëm e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar e Kosovës, thotë se furnizimi me barna dhe material shpenzues varet nga Ministria e Shëndetësisë, e cila menaxhon buxhetin për furnizim me barna dhe material shpenzues.
Kërkesat sipas Zyrës së Curr Gjocajt, nga barnatorja qendrore e SHSKUK- QKUK dërgohen me kohë tek zyrtarët përgjegjës në Ministri të Shëndetësisë.
Të dhënat e barnatoreve spitalore dhe të Barnatores Qendrore të SHSKUK-së, tregojnë për këtë përqindje të furnizimit me barna dhe material medicinal:
SP-Prizren: barna 63.7%, material medicinal 56.5%
SP-Gjilan: barna 71.3%, material medicinal 31.3%
SP-Mitrovicë: barna 86.7%, material medicinal 31.9%
SP-Vushtrri: barna 78.3%, material medicinal 43.6%
SP-Ferizaj: barna 60.9%, material medicinal 51.0%
QKUK: barna 60.0%, material medicinal 51.0%
“Për tremujorin e parë TM1, SHSKUK ka dërguar kërkesat sipas nevojave reale (100 për qind) mirëpo vonesat e furnizimit dhe mungesa e kontratave për disa produkte ka bërë që të mos kemi përsëri furnizim të kënaqshëm”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së për Gazeta Shneta.
Tani thuhet se janë dorëzuar kërkesat për furnizim për Tremujorin e dytë (TM2) por të reviduar pasi që vetëm për TM1 “kemi patur planifikimin real të nevojave në bazë të të cilave kemi proceduar me kërkesa për furnizim ndërsa për tre tremujorët në vijim (Prill-Qershor, Korrik-Shtator, Tetor –Dhjetor) kemi reviduar dukshëm planifikimet në mënyrë që ti përafrohemi buxhetit në dispozicion”.
Mungesën e barnave dhe materialit shpenzues e kanë kritikuar edhe sindikalistët e shëndetësisë.
“Gjendja nuk është fare e mirë me furnizim të barnave. Mungojnë gjëra elementare që duhet të kryhet një shërbim i mirë, megjithëse parashihen me listën esenciale”, ka deklaruar Sabri Cakaj. /Gazeta Shneta/